Shqipëria vazhdon të mbetet destinacioni kryesor i qytetarëve të Kosovës për sa i përket kalimit të pushimeve.
Sipas raportit më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), shkruan Telegrafi, në periudhën janar – korrik 2021, kosovarët ishin të parët në rajon për vizitat në Shqipëri.
Referuar INSTAT-it, gjatë shtatë-mujorit hyrjet e qytetarëve nga Kosova janë 1 milionë e 381 mijë e 532 turistë. Thënë ndryshe, 877 mijë e 934 më shumë se për të njëjtën periudhë të 2020.
Në periudhën janar – korrik 2019 ishin 1 milionë e 57 mijë e 545 vizitorë nga Kosova në Shqipëri.
Vetëm gjatë muajit korrik 2021, në Shqipëri shkuan 521 mijë e 265 turistë, ndërsa gjatë korrikut të 2020-së, i cili konsiderohet si viti i pandemisë COVID-19, ishin 205 mijë e 436 qytetarë që kishin kaluar pushimet në shtetin shqiptar.
Për sa i përket vizitave për muajin korrik 2019, kosovarët përsëri ishin të parët që bënë më shumë vizita në Shqipëri, pra në një total prej 448 mijë e 896 turistë.
Pas Kosovës, nga vendet e rajonit maqedonasit janë ata që më së shumti kishin vizituar Shqipërinë. Gjatë muajve janar – korrik 2021 ishin 336 mijë e 500 qytetarë nga Maqedonia e Veriut që ishin turistë, pasuar nga malazezët me 183 mijë 747.
Greqia është shteti me uljen më drastike të vizitave në Shqipëri, me një rënie me afro 41 për qind. Hyrja e shtetasve grekë në vend është 85,836, pra në total 60,252 më pak se në të njëjtën periudhë të 2020.
Polonia ka pasur rritjen më të madhe të hyrjeve në vend apo 5 për qind, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rreth 4 për qind. Gjatë shtatë-mujorit hyrjet e polakëve në Shqipëri janë 56,198, ndërkaq shtetasit amerikanë që kanë hyrë në Shqipëri numërohen 50,980 nga 11,807 që ishte një vit më herët.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë shtatë-mujorit të 2021 është 2 milionë e 846 mijë e 881, duke u rritur me 2.4 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Në një panoramë të përgjithshme, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë shtatë-mujorit të 2021 është 2 milionë e 846 mijë e 881, duke u rritur me 2.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.