Përmes një letre publike drejtuar kryeministrit, Avdullah Hoti, dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar që t’i mundësohet zgjatja e orarit të punës.
Në këtë letër, kjo shoqatë ka thënë se si pasojë e masës që ndalon qarkullimin e personave nga ora 22:30 deri në ora 05:00, gastronomia është në rrezik.
“Gjendja aktuale në vendin tonë sa i përket sektorit që mbulojmë dhe për të cilin avokojmë është tepër shqetësuese. Si rrjedhojë e masave të ushtruara nga ana e institucioneve të Kosovës, shumë biznese rrezikojnë të mbyllen nga pengesat që janë shkaktuar në afarizmin e tyre. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj bizneseve nga institucionet tona, por vetëm ndaj punëtorëve me anë të Pakos Emergjente, dhe kjo me shumë lëshime në zbatimin e saj. Andaj, në mirëkuptim dhe konsideratë ndaj situatës së krijuar, kërkojmë nga ana juaj që të trajtoni me prioritet të lartë kërkesat tona dhe të ofroni ndihmë ndaj bizneseve që fatkeqësisht renditen si një prej më të goditurave në vend”, thuhet në këtë letër, ku është bërë e ditur se peticioni me nënshkrime për këto kërkesa së shpejti do t’iu dërgohet institucioneve.
Kjo shoqatë ka thënë se çdo veprim që do ta ndërmarrë në të ardhmen në kërkim të përmbushjes së këtyre kërkesave “do të jetë gjithnjë demokratik”.
Masa për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:30 deri në orën 05:00 ishte vendosur në fund të korrikut.
Letra e plotë:
Për: Z. Avdullah Hoti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
Cc: Z. Armend Zemaj, MSH
Nga: Shoqata e Gastronomëve të Kosovës;
Oda Ekonomike e Kosovës.
Datë: 09/09/2020
Lënda: Kërkesë për shfuqizimin e pikës 2 dhe 18 të Vendimit Nr. 01/17 të dt. 28/07/2020, lidhur me zgjatjen e orarit të qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre dhe lidhur me orarin e funksionimit të subjekteve të shërbimeve të Gastronomisë.
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës është organizatë e pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse. SHGK është Shoqatë sektoriale që operon në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, e cila është institucioni i vetëm i biznesit të themeluar me ligj në Republikën e Kosovës dhe veprimtaria jonë e përbashkët zhvillohet mbi bazën e këtij Ligji (Ligji mbi Odën Ekonomike të Kosovës 2004/7) të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Me qëllim të përfaqësimit, mbështetjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të industrisë së gastronomisë në Kosovë, dhe duke u bazuar në rrethanat aktuale të sektorit, SHGK vjen me propozim dhe kërkesë adekuate e cila mund të aplikohet me vendim nga insitucionet përkatëse në kuptim të përkrahjes së sektorit tonë, gjithmonë duke pasur parasysh kujdesin në parandalimin dhe mospërhapjen e pandemisë COVID – 19.
SHGK që prej themelimit të saj, aktivitetet që i ushtron i ka të bazuara në të drejtat e garantuara me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Me kërkesë të anëtarëve të saj, shoqata ka lëshuar një peticion me datë 01.09.2020 me anë të së cilit kërkohet zgjatja e orarit të qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre nga ora 22:30, në 00:00 deri në ora 05:00.
Pas përfundimit të procesit të mbledhjes së nënshkrimeve, SHGK këtë peticion do t’iu dërgojë pranë institucioneve tuaja, me anë të së cilit kërkohet ndryshimi i vendimit lidhur me pikën e sipërcituar. Ne si shoqatë, me anë të kërkesave të anëtarëve tanë, bëjmë thirrje që vendimi aktual i Qeverisë së Republikës së Kosovës të shfuqizohet, dhe përveç kësaj natyrshëm kërkojmë edhe zgjatjen e orarit të punës për sektorin e gastronomisë deri në ora 00:00.
Gjendja aktuale në vendin tonë sa i përket sektorit që mbulojmë dhe për të cilin avokojmë është tepër shqetësuese. Si rrjedhojë e masave të ushtruara nga ana e institucioneve të Kosovës, shumë biznese rrezikojnë të mbyllen nga pengesat që janë shkaktuar në afarizmin e tyre.
Deri më tani nuk kemi pasur asnjë mbështetje të drejtëpërdrejtë ndaj bizneseve nga institucionet tona, por vetëm ndaj punëtorëve me anë të Pakos Emergjente, dhe kjo me shumë lëshime në zbatimin e saj.
Andaj, në mirëkuptim dhe konsideratë ndaj situatës së krijuar, kërkojmë nga ana juaj që të trajtoni me prioritet të lartë kërkesat tona dhe të ofroni ndihmë ndaj bizneseve që fatkeqësisht renditen si një prej më të goditurave në vend.
Hapat e ardhshëm dhe aktivitetet që do të ushtrohen nga ana e shoqatës do të jenë gjithnjë demokratike dhe në përputhje me qëndrimet dhe vendimet e institucioneve të Kosovës.
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës zotohet që do të ofrojë përkrahjen e parezervë për sektorin e gastronomisë dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke dhënë shërbimet profesionale për tejkalimin e kësaj rrethane, dhe duke ofruar alternativat më adekuate në mënyrë që efektet e kësaj krize të manifestohen me pasoja sa më të vogla.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës,
Petrit Kllokoqi