Gastronomët protestojnë kundër masave të Qeverisë

Gastronomët e revoltuar me masat e fundit të Qeverisë së Kosovës që ia ndëprenë punën në fundjavë po protestojnë afër kinemasë “ABC” në kryeqytet.

Me lugë dhe tenxhere ata shfaqën pakënaqësitë e tyre, njofton Klan Kosova.

“Nuk na pëlqejnë asnjëherë masat e reja kur merren përderisa nuk jemi pjesë e grupeve punuese. Masat e reja kanë qenë shumë të palogjikshme për Shoqatën e Gastronomeve”, ka thënë dje kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi.

Por, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, mbrëmë u tregua i ashpër me ata duke i akuzuar disa prej tyre për mosrespektim të paktit të arritur mes tyre për respektim të masave antikoronavirus në lokale të ndryshme.

”Grumbullimet e tepërta në lokalet e gastronomisë, në disa prej tyre, më vjen keq për ata që kanë respektuar masat – por keqpërdorimi ndodhi sidomos në organizim të dasmave, ahengjeve dhe gjërave të tjera”, tha ai.