Viti 2024, nisi për qytetarët kosovar me lëvizjen e lirë pa viza në vendet e Bashkimi Evropian.
Numri i madh i udhëtarëve që është shënuar gjatë janarit i ka frikësuar bizneset kosovare.
Fluksi i madh i qytetarëve për në perëndim, pritet të sjellë edhe ikje të fuqisë punëtore.
Kështu po thotë për Front Online, Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomeve.
“Mungesa e punëtorëve po vërehet në sektorin e gastronomisë dhe atë të ndërtimit në këto dyja ka më së shumti lëvizje të punëtorëve sepse të gjithë e kanë pritë këtë derë të hapët dhe me i vizituar vendet e huaja dhe me i shqyrtuar mundësitë e punësimit. Është krijuar edhe lehtësimi i procedurave të punësimit në zonën Schengen”, tha Vranica.
Vranica thotë se punëtorët ka mundësi mos të kthehen më pas pushimit pa pagesë.
“Punëtorët po marrin edhe pushime pa pagesë dhe vjetore diku prej 10 deri 20 mijë sillet numri i lëvizjeve të punëtorëve jo vetëm në sektorin e gastronomisë por nga të gjitha sektorët janë duke i shqyrtuar mundësitë ata pushim marrin por mundën edhe mos me u kthyer më në situatën që jemi”, u shpreh Vranica për Front Online.
Vranica: 350 euro paga mesatare në gastronomi – jo e mjaftueshme krahas inflacionit
Paga mesatare në gastronomi është 350 euro, por aspak e mjaftueshme krahas inflacionit.
Kështu deklaroi Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomeve për Front Online.
Ai ka kërkuar që Qeveria t’i subvencionoj bizneset.
“350 euro është paga mesatare, ka një rritje, por duhet ta kemi parasysh që niveli i inflacionit është shumë i lartë, produktet esenciale janë shtrenjtë përkundrazi pagat që janë rritë nuk mjaftojnë. Duhet shteti t’i shfrytëzoj mekanizmat e tij me inspektorin e punës, tregut të bëjë masa të caktuara ekonomike me i subvencionu bizneset, nuk ka asnjë hap nuk ka strategji të mirëfilltë”, deklaroi Vranica.
Gastronomët: Rreziku për mbyllje të bizneseve është shumë i madh, sidomos atyre të vogla
Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomeve ka thënë se bizneset kanë filluar të ndryshojnë kushtet nga frika e largimit të punëtorëve.
“Pronarët kanë filluar me i rritë pagat e me rregullu kushtet, por kjo nuk do të ketë ndikim e parandalim të ikjes së punëtorëve”, tha ai për Front Online.
Bizneset e vogla do të dëmtohet më së shumti nga ikja e punëtorëve, deklaroi Vranica.
“Rreziku për tu mbyllur ndonjë biznes është shumë i lartë sidomos atyre të vogla, do të ketë reduktim të bizneseve të mëdha dhe të mesme. Nuk po na ikë vetëm një punëtorë por një fuqi konsumuese duke u ulë ky konsum po reduktohen edhe bizneset”, theksoi Vranica.
Më 18 Prill të vitit të kaluar, Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Zyrtarisht heqja e vizave për kosovarët u bë më 1 janar, 2024./Front Online/