Gastronomët ankohen për vendimin e Qeverisë që të shërbehet ujë nga rubineti: S’na konsultuan fare!

Është miratuar vendimi i cili obligon bizneset për shërbimin e klientëve me ujë nga rubineti, dhe monitorimin e cilësisë së ujit të destinuar për konsum njerëzor në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik.

Kështu është thënë në mbledhjen e Qeverisë të hënën e 4 korrikut.

Lidhur me këtë vendim Albanian Post, ka kontaktuar sekretarin e Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Arian Vranica, i cili ka thënë se nuk kanë qenë të informuar për marrjen e një vendimi të tillë.

“Ka qenë vendim pa konsultim publik e cila prek një sektor i cili nuk është i konsultuar për marrjen e këtij vendim, nuk e dinë cilësinë e ujit që furnizohet se a është i shërbyeshëm për klientët për me u konsumu pasi i njëjti mundet me u shërby për pastrim e higjienë e raste të tilla”, thotë Vranica për AP.

Sipas tij, klientët nuk mund të shërbehen pa e ditur cilësinë e ujit.

“Si mundet me u shërby një klient përderisa nuk e dinë cilësinë, përderisa nuk e dinë a është i shërbyeshëm”.

“Ideja është për qëllimin e ruajtjes së higjienës dhe konsumit sidomos në këtë kohë ku kemi temperatura të larta u dashtë ky vendim me u konsultu më herët se tash nuk kemi zgjedhje sepse tash është si vonë hapi i qeverisë”.

Ndërkaq, për udhëzimin që është paraqitur ai sqaron se është i njëjti me atë të vitit 2021.

“Unë lexova udhëzimin administrativ është i vitit të kaluar për cilësinë e ujit, po këtu po flitet për certifikatat që lëshohen nga IKSHPK-ja do të thotë ky është një proces që zgjatë, mirëpo qysh është vendimi i shkruar unë nuk e di e prandaj as nuk mund të kem një qëndrim të plotë”.

Edhe Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve ka dalur me një reagim rreth këtij vendimi.

Ai në rrjetin social të tij ‘Facebook’, konsideron se kostoja e këtij vendimi do të jetë mjaft e lartë.

“Uji duhet të shërbehet veç ka me pas kosto se po më duket qe janë nisur prej Greqisë e vene tjera qe ta shërbejnë pa e lyp hiq ama të kerset 3-4€ kafen”

“Sido qe te jete 90% te bizneseve e kanë shërby pa kosto shtes, nuk është qe kanë marrë ndonjë vendim veç kanë inicu diçka tjetër”.

Ndryshim miratimi i këtij vendimi parasheh se në situatën kur objekti i gastronomisë furnizohet nga uji i puseve, rezervuarve apo rrjetit i cili nuk menaxhohet prej kompanive publike të ujit, pronari obligohet të bëjë monitorimin e cilësisë së ujit në përputhje me Udhëzimin Administrativ për cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor.

Gjithashtu, në këto situata, pronari duhet të pajiset edhe me certifikatë të cilësisë së ujit nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike dhe ta ekspozojë atë në lokal.