Gashi: Vota kundër buxhetit nuk është votë kundër Qeverisë Hoti, për të ka vendosur Kushtetuesja

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se është një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili ende nuk ka ardhur në rrugë zyrtare të Republikës.

Duke pasur parasysh situatën aktuale, ai ka thënë se duhet të votohet buxheti.

Gashi ka thënë se sot duhet të japin sinjalin e bashkimit dhe të qojnë mesazhin që për interesa shtetërore i kalojnë interesat grupore.

“Ne duhet ta bëjmë këtë hap sot sado teknik të duket. Stabiliteti financiar në vend është shumë i rëndësishëm. Ne sot jemi të përçarë për fajin e gjithë neve, Kosova është ndarë në ne dhe ata. Nesër do të përballemi me situata të reja që kërkojnë unitet dhe një nga to është presidenti. A do të ketë mundësi që kjo klasë politike të bashkohet nesër”, ka thënë ai.

Gashi tutje ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, duke shtuar se si klasë politike duhet të pajtohen përballë interesave nacionale.

“Vota për buxhetin emergjent sot është një hap i vogël për tejkalimin e krizave. Ne jemi të vetëdijshëm që në klimën që është krijuar vështirë që do të ketë fitues edhe humbës edhe pas zgjedhjeve. Vota kundër buxhetit sot është votë kundër shtetit të Kosovës. Vota kundër buxhetit nuk është votë kundër Qeverisë Hoti sepse për të e ka dhënë verdiktin Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai.

Ai ka propozuar mocion për shmangie nga procedurat në mënyrë që të kalohet buxheti.