Drilon Gashi, specialist i zhvillimit ndërkombëtar në Uashington, vlerësoi se nuk ka nevojë për nguti te Kosova për ta arritur një marrëveshje me Serbinë, kësisoj, ka bërë thirrje për unitet.
“Shtatori është përmendur edhe në SHBA si fillim i dialogut, sepse shihet si pika ku zgjedhjet për presidentin do të jenë në vrullin më të madh. Ajo i jep Kosovës e Serbisë një kohë më të mirë. Ne nuk mendojmë të shkojmë me nguti për lehtësim në marrëveshje, për të pranuar pra marrëveshje për të cilën nuk dimë shumë, dhe ku thuhet se Kosova humb më shumë sesa fiton”, tha ai në Interaktiv të KTV-së.
Gashi, tutje tha se “Çështja Kosovë-Serbi nuk është çështje e madhe për SHBA-në, mirëpo çdo fitore në politikën e jashtme që është e pazgjidhur, është fitore për SHBA-në”.
Sipas Gashit, edhe Richard Grenell ka folur me presidentin Hashim Thaçi, që kjo çështje të përfundojë sa më parë.
“Kudo që kemi përmendur marrëveshjet për fluturimin Prishtinë-Beograd, ka marrë vëmendjen në Twitterin e Trumpit. Sigurisht se çkado që ndodh, Trumpi do ta shfrytëzojë”, tha ai.
Gashi theksoi se kushdo që ka përcjellë rrethanat në Kosovë deri te rrëzimi i qeverisë, i ka vlerësuar negative, në këtë kohë pandemie.
“Ajo çka ndodhi ishte përpjekje kundër vullnetit të popullit më 6 tetor”, theksoi ai.
“Kosova duhet të ketë qeveri për një reformë të mirëfilltë, mirëpo me situatën e tashme, mënyra më e mirë për qeveri konsensuale duhet një që buron nga vullneti i popullit”, shtoi tutje Gashi.
Ai tha se Kosova me SHBA-në ka marrëdhënie të fortë strategjike, prandaj është përkrahëse e zhvillimit ekonomik.
“SHBA-ja është e interesuar që Kosova ta ketë një qeveri që arrin një marrëveshje jetëgjatë dhe ka fund për stabilitet në rajon, dhe është marrëveshje e mirë për Kosovën e Serbinë”, tha Gashi, duke shtuar se komuniteti shqiptar në SHBA kujdeset për marrëdhëniet e mira Kosovë-SHBA më shumë sesa çfarë qeverie do të vijë në pushtet.
Kur foli për çështjen e amnistisë, Gashi tha se komuniteti në SHBA vlerëson se faktori që kreu gjenocid në Kosovë ishte Serbia, dhe në asnjë rrethanë, s’duhet të ketë amnisti.
“Askush s’duhet të falet, ata që kryen krime duhet të marrin dënimin. Një amnisti do të ishte humbje për Kosovën e fitore për Serbinë”, theksoi Gashi.