Gashi – Osmanit lidhur me seancën për buxhetin: Po e futni Kosovën në krizë për përfitime elektorale

Pasi shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi kërkoi mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme në Kuvend për ndarjet buxhetore, një gjë e tillë nuk u procedua nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani. 

Lidhur me këtë, Gazeta Sinjali ka kontaktuar Gashin, i cili ka thënë se kjo është një qasje refuzuese dhe bllokuese në një periudhë krize që gjendet vendi. 

“Kjo qasje reflekton një qasje refuzuese dhe bllokuese ndaj procesit më qenësor të stabilitetit të përgjithshëm ekonomik, social dhe politik, në një periudhë krize të paprecedent globale dhe lokale, si miratimi i Buxhetit të Shtetit”, tha Gashi.

Tutje ai tha se Osmani është dashur vetëm ta procedojë këtë kërkesë, e jo të futet vendi në krizë për përfitime elektorale. 

“Futja e Kosovës në krizë për përfitim elektoral është logjikë jo institucionale dhe jodemokratike.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Osmani, duhet ta ketë parasysh që kërkesa e nënshkruar nga 46 deputetë nuk ka nevojë të shqyrtohet, por vetëm të procedohet dhe të njoftohen deputetët. 

Seancat e jashtëzakonshme mund të kërkohen në gjendje krize, në gjendje lufte, dhe në gjendje të tjera të veçanta. Prandaj nuk ka orar, e as afat, që mundet ta kufizojë”, u shpreh për Sinjalin ai.

Gashi shtoi në fund se tashmë Kuvendi nuk ka pozitë dhe opozitë  dhe të gjithë kanë përgjegjësi të barabarta. 

“Ne kemi bërë kërkesë që Kosova të mos mbetet pa Buxhet. Nëse të tjerët nuk janë dakord, atëherë ata bartin përgjegjësinë e bllokimit të proceseve qenësore me pasoja të drejtpërdrejta në mirëqenien e përgjithshme në vend!”, tha Gashi.