Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se tashmë krijimi i qeverisë së re të Republikës së Kosovës që do të drejtohet nga i nominuari Avdullah Hoti varet vetëm nga procedura teknike.
Arben Gashi për Gazetën Express ka thënë se nënshkrimet për thirrjen e seancës për votimin e Qeverisë i kanë të grumbulluara, megjithatë s’ka treguar se kur potencialisht mund të fillojnë veprimet për krijimin e institucioneve të reja.
“Tashmë është çështje teknike”, ka thënë Gashi kur është pyetur rreth asaj se kur do të nisin përpjekjet për krijimin e qeverisë së re.
Mbrëmë, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në favor të Dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka nominuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër të Republikës së Kosovës.
Pas një vendimi të tillë ka reaguar Ambasada Amerikane dhe Përfaqësuesi Special Presidencial i SHBA-së, Richard Grenell, të cilët kanë kërkuar që vendimi të respektohet nga të gjitha palët.
Pas rrëzimit të Kurtit përmes mocionit të mosbesimit, presidenti i vendit Hashim Thaçi kishte dërguar letra disa herë radhazi në drejtim të kreut të VV-së, Albin Kurti, që si parti fituese të dërgonin emrin e mandatarit për kryeministër. Megjithatë, Thaçi asnjëherë s’kishte marrë një përgjigje nga Kurti.
Pasi kësaj presidenti kishte filluar konsultimet me partitë politike për t’i pyetur nëse janë për zgjedhje të reja apo për krijim të një qeverie të re pa e shpërndarë fare Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Duke qenë se të gjitha partitë ishin për krijim të qeverisë së re pa e shpërndarë Kuvendin, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, duke nominuar kështu Avdullah Hotin për kryeministër meqë LDK-ja kishte argumentuar që ka gjasën më të madhe për krijimin e shumicës së re në Kuvend.
LDK-ja për krijimin e Qeverisë së re ka lidhur koalicion me AAK-në dhe Nismën. /Express/