GAP: Pandemia COVID-19 shkaktoi rënien më të lartë të prodhimit vendor që nga paslufta

Masat parandaluese të pandemisë COVID-19 shkaktuan rënien më të lartë të prodhimit vendor që nga paslufta duke bërë që Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të 2020-së të bie me 9.28 për qind.

Kështu thuhet në raportin “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në ekonominë e Kosovës“, prezantuar nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP).

Në këtë raport, paraqitet ecuria e komponentëve kryesor të PBB-së dhe indikatorët tjerë makroekonomik në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, me qëllim që të pasqyrojë ndikimin e kësaj krize në të gjithë sektorët ekonomik të vendit.

“Situata emergjente ndikoi në ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve ku ekonomitë familjare ngritën shpenzimet për produkte bazike, ndërsa reduktuan shpenzimet joesenciale. Aktivitetet ekonomike të cilat shënuan rritje në tremujorin e dytë ishin industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, dhe furnizimi me ujë me 19.8 për qind dhe informacioni dhe komunikimi me 29.6 për qind. Ndërkohë rënie të të hyrave patën të gjitha industritë e tjera. Rënia më e lartë u shënua në industrinë e ndërtimit me 47.08 për qind, dhe tregtia, transporti, akomodimi dhe gastronomia me 24.4 për qind. Po ashtu. gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti industritë deklaruan rreth 584 milionë euro ose 11 për qind më pak qarkullim në Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raport.

Qeveria e Kosovës miratoi Pakon e parë Emergjente Fiskale me vlerë prej 190 milionë euro dhe propozoi riorientimin e shpenzimeve buxhetore, nga kategoria e shpenzimeve kapitale në kategorinë e pagave, transfereve dhe subvencioneve. Megjithatë, kjo pako nuk arriti të zbatohej në tërësi në tremujorin dytë dhe për këtë arsye shumë qytetarë dhe biznese nuk morën ndihmën në kohën e duhur.

Si rezultat në gjashtëmujorin e parë shpenzimet ishin vetëm 18.8 milionë euro ose rreth 2 për qind më të larta se në gjashtëmujorin e parë të vitit paraprak.

Riorientimi i buxhetit si masë e vetme pa rritur borxhin publik do të jetë i padobishëm në mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike.