Ish-mesfushori i Schalkes, Max Meyer, e ka distancuar veten nga komentet e bëra nga babai i tij, Achim, i cili e postoi një video në rrjete sociale dhe e kritikoi klubin e Bundesligës, përderisa e voziste një Lamborghini.
Max Meyer e kishte nisur karrierën e tij me Schalken, duke u ngritur nga ekipi i të rinjve i gjigantit gjerman, para se të largohej nga aty në verën e vitit 2018 për t’iu bashkuar klubit të Premierligës, Crystal Palace, transmeton Gazeta Express.
Schalke është përballur me vështirësi të mëdha që kur Meyer u largua, duke përfunduar në pozitën e 14-të në sezonin 2018/19 të Bundesligës, ndërsa tani kanë ecuri prej dhjetë ndeshjeve pa fitore, që nga 17 janari.
Forma e tyre e keqe ka shtuar presionin mbi trajnerin David Wagner, përderisa ata janë destabilizuar edhe më shumë nga kontrata që portieri i tyre i parë, Alexander Nubel, e nënshkroi me Bayernin para një transferimi falas këtë verë.
Babai i Max Meyes, Achim, nuk pati dhembshuri për klubin e vjetër të djalit të tij, pasi e postoi një video në rrjete sociale duke e vozitur në zonën e klubit një Lamborghini, për të cilin tha se ia ka paguar klubi.
“Nuk bëhet më mirë sesa kaq. Po kaloj nëpërmjet qytetit të ndaluar, Gelsenkirchen. Po shkoj te këshilltari për taksa. Është një rrugëtim i këndshëm me Lambon e paguar nga klubi që po falimenton. E mrekullueshme”, tha Achim.
Futbollisti që tani luan për Crystal Palave reagoi përmes një fotoje në Instagram dhe i kërkoi falje ish-klubit të tij.
“Unë sapo e shikova videon e babait tim. Jam thellësisht i tronditur nga kjo video. S’ka vend për atë video në këtë kohë, s’ka vend për të në këtë botë, s’ka vend për të në asnjë moment”, tha 24-vjeçari.
“Unë duhet ta falënderoj Schalken jashtëzakonisht shumë dhe e distancoj veten nga natyra dhe përmbajtja e asaj videoje”.