Një virus që shpërndahet shpejt po kërcënon shëndetin e pemëve të kakaos në Bregun e Fildishtë dhe në Ganë në perëndim të Afrikës, duke krijuar kështu vështirësi për prodhimin e çokollatës, raporton “Phys.org”.
Këto dy vende janë furnizuesit më të mëdhenj botërorë të kakaos.
Afro 50 për qind e çokollatave në botë e kanë origjinën nga pemët e kakaos që ndodhen në Bregun e Fildishtë dhe në Ganë. Një virus po i sulmon këto pemë të kakaos atje e si pasojë po shkaktohen 15 deri në 50 për qind humbje në të vjela.
Virusi që po shpërndahet nga një insekt i vogël i cili po i ha gjethet, trungun dhe lulet e pemëve të kakaos, po dëmton përbërësin esencial të çokollatës.
“Virusi është kërcënim i madh për furnizimin global të çokollatës”, ka thënë Benito Chen-Charpentier, matematikan në Universitetin e Teksasit, SHBA.
Ai ka shtuar se pesticidet nuk po ndihmojnë në ndalimin e këtij virusi, duke krijuar vështirësi te fermerët, të cilët po detyrohen t‘i presin pjesët e infektuara të pemëve të kakaos. Por Benito gjithashtu ka treguar se pavarësisht këtyre përpjekjeve që po bëjnë fermerët ganezë, tashmë janë humbur më shumë se 254 milionë pemë të kakaos gjatë viteve të fundit.
Fermerët mund ta luftojnë virusin duke injektuar një lloj vaksine te pemët, por ato janë të kushtueshme sidomos për ata fermerë që kanë pagë të ulët dhe pemët e vaksinuara do të ofrojnë të korra më të vogla të kakaos duke komplikuar çështjen edhe më shumë.
Ekspertët po shikojnë për zgjidhje të problemit duke mbjellë pemët e vaksinuara shumë më larg atyre të pavaksinuara, në mënyrë që të mos shpërndahet virusi nga insektet fluturuese e as nga erërat. Për më tepër Benito, përveç kësaj strategjie të mbjelljes më larg të pemëve të vaksinuara, me kolegët e tij po duan t’i kursejnë fermerët duke projektuar disa mbështjellës mbrojtës për pemët e vaksinuara.
“Këto metoda janë ende eksperimentale, por janë shpresëdhënëse, sepse do t’ju ndihmojnë fermerëve t’i mbrojnë pemët e tyre duke iu ndihmuar të kenë të vjela më të mira. Kjo jo vetëm që do t’ju ndihmojë fermerëve, por edhe mbarë njerëzimin që ka qejf çokollatën”, ka thënë Benito.