Përmes një postimi në “Instagram”, Besart Berisha dha lajmin për fundin e karrierës. Është fundi i një rrugëtimi të veçantë të Berishës, sulmuesit 36-vjeçar që ka luajtur në tri kontinente, shumë shtete dhe në dy përfaqësuese.
I zhvilluar si futbollist në Gjermani, Berisha shkëlqimin e ka gjetur krejt diku tjetër – në Australinë e largët. Atje vlerësohet ikonë futbolli. Çmohet edhe në Shqipëri e Kosovë, ndonëse me futbollin kosovar kishte dy përvoja jo shumë për t’u krenuar. Nga përfaqësuesja e Kosovës u largua pa lënë gjurmë. Njëjtë edhe nga klubi Prishtina. Te të dyja, Kosova e Prishtina, u prezantua me pompozitet, por ndarjen e kishte pa bujë.
Nga futbolli Berisha ndahet si golashënuesi më i mirë i A-Leagues së Australisë. Duhet të kalojë shumë kohë që dikush ta thyejë rekordin e tij. Ai i ka plot 142 gola në kampionatin e Australisë në futboll. I dyti në listë i ka 109 gola.
Lista e sukseseve të tij në Australi është e gjatë. Por së fundi kishte pasur telashe për të gjetur skuadër të denjë në Australi dhe pranoi ofertën e Prishtinës. Te Prishtina erdhi në vjeshtë dhe u largua me vetëm tri ndeshje të luajtura. Për shkak të lëndimeve luajti fare pak dhe u largua shpejt.
Te Kosova e luajti një ndeshje në vitin 2017. Selektori i atëhershëm Albert Bunjaki ia bëri me dije që nuk do t’ia ofrojë hapësirën që e synonte dhe Berisha vendosi të largohej. Më gjatë ka luajtur te Shqipëria. Prej vitit 2006 e deri në vitin 2009 i ka luajtur 17 ndeshje. Ka realizuar një gol.
I rritur te skuadrat gjermane, si Berliner, Berliner Dynamo, Lichtenberg e Tennis Borussia Berlin, Berisha ka debutuar në nivel të rriturish me këtë të fundit. E ardhmja e tij llogaritej e madhe. Në vitin 2004 e transferoi Hamburgu, ndërsa në vitin 2005 u huazua tek Aalborgu në Danimarkë. Nuk kishte ndonjë sukses. Në edicionin 2005/06 u huazua te Horsensi, po në Danimarkë dhe shënoi 11 gola në 32 paraqitje. Për edicionin 2006/07, Hamburgu nuk e huazoi. E fitoi rastin në Bundesligë. Luajti edhe në Ligën e Kampionëve dhe më 6 dhjetor 2006 u bë shqiptari i parë që realizoi gol në Champions. Shënoi ndaj CSKA Moskës. Atë edicion e realizoi edhe një gol në 12 paraqitje në Bundesligë, ndërsa në Champions i luajti dy ndeshje gjithsej. Ndryshimi i trajnerit bëri që Berisha të mos llogaritej shumë te Hamburgu. Në verën e vitit 2007 kaloi te Burnley në Angli, pasi shkëlqeu në një ndeshje të Shqipërisë ndaj Anglisë B.
Por nuk e përcolli fati. Lëndoi ligamentet dhe mbeti jashtë për një vit. Në verën e vitit 2008 u huazua te Rosenborgu në Norvegji e në janar të vitit 2009 te Horsensi danez. Nga Burnely anglez u largua pa ndeshje të luajtur, ndërsa në verën e vitit 2009 kaloi tek Arminia Bielefeld në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Nuk kishte ndonjë sukses dhe në verën e vitit 2011 kaloi në Australi. U vlerësua hap prapa në karrierë, por doli të ishte hapi më i qëlluar i mundshëm. Shkëlqeu te Brisbane Roar ku qëndroi tre vjet. Katër vjet i kaloi te Melbourne Victory, ku po ashtu ishte “makinë golash”. Një përvojë të pasuksesshme e kishte te Sanfrecce Hiroshima në Japoni, në vitin 2018. U kthye aty ku shfaqi më të mirën, në Australi. I kaloi edhe dy edicione te Western United, para se verën e kaluar të bëjë edhe një lëvizje jo shumë të qëlluar për te Prishtina.
Në Australi ka fituar tituj me Brisbane Roarin e Melbournen, ndërsa dy herë ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit.
Ishte pjesë e ballinave të gazetave sportive edhe për incidentet e herëpashershme në fushë e ndonjëherë edhe jashtë saj. Por më së shumti për numrin e madh të golave që ka realizuar. Bëhet fjalë për futbollin në Australi, pasi në vendet e tjera nuk është që ka shkëlqyer. Pas largimit nga Prishtina vendosi t’i japë fund karrierës e jo të kërkojë shkëlqimin në ndonjë vend tjetër.
“Të dashur tifozë, tani është koha. Do t’i jap fund karrierës sime futbollistike. Ka qenë një kohë e pabesueshme që nuk do ta harroj kurrë, mbaj mend që kur fillova këtë lojë gjithmonë kisha një buzëqeshje në fytyrën time dhe sot po buzëqesh përsëri duke menduar për të gjitha kujtimet e bukura që kam pasur me lojën. Në momentin që fillova këtë lojë ta luaj, gjithmonë ëndërroja të bëhem profesionist. E falënderoj Zotin që e bëri të mundur realizimin e ëndrrës sime. E falënderoj familjen time për përkrahjen dhe që ishte gjithmonë aty për mua. Po ashtu, dua t’i falënderoj të gjitha klubet e mia. Ju e keni bërë të mundur për mua këtë kohë të jashtëzakonshme”, ka shkruar Berisha në njoftimin për largimin nga futbolli i luajtur.
Një postim me pak rreshta shënon fundin e një karriere të madhe. Të veçantë gjithashtu.