FSK mund të shkojë në misione paqeruajtëse jashtë vendit

Me unanimitet të plotë është miratuar në Kuvend dërgimi i FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit. Me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim dërgohet kontingjenti i FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

Kryeministri  Avdullah Hoti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet Propozim-Vendimit të Qeverisë për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, tha se vendimi për të dërguar FSK-në në misione paqeruajtëse jashtë vendit konfirmon besimin që kanë aleatët ndaj Kosovës.

“Përtej simbolikës, misioni i parë i pjesëtarëve të FSK-së na bën krenar edhe për faktin se ai do të bëhet në bashkëpunim të plotë me Gardën e Ajovës që ka dhënë mbështetje të madhe për ne”.

Hoti thotë se ky mision tregon se Republika e Kosovës merr përgjegjësinë për paqen globale në botë.

“Populli i Kosovës si pak popuj në botë e kupton rëndësinë e misioneve paqeruajtëse. E kemi provuar këtë para dy dekadave…Me këtë vendim ne sot renditemi krahë partnerëve tanë për të siguruar paqen në botë”, ka deklaruar më tej Avdullah Hoti.