FSK-ja vazhdon me gjendjen e gatishmërisë së nivelit 2

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizituan Ministrinë e Mbrojtjes, ku u takua me ministrin në detyrë, Anton Çuni, gjenerallejtnant, Rrahman Rama.

Fillimisht vizituan Ministrinë ku të gjithë diskutuan gjerë e gjatë për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me misionin dhe detyrat sipas ligjeve të aprovuara në Parlamentin e Kosovës. Përgatitja sa më e mirë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, është elementi kyç i ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.

Shteti i Kosovës dhe FSK-ja nuk kanë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rrugën e ndërtimit dhe forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse. Projektet e shumta të përbashkëta me ShBA-të dhe ushtrinë e saj, që nga përgatitja dhe shkollimi i oficerëve dhe nënoficerëve, deri te ato kapitale si pajisje me armatim, janë përcaktim yni strategjik dhe nuk do ndalen për asnjë moment. 

Qeveria në detyrë e Kosovës, edhe në këtë kohë krize me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, do të përkrahë pa rezervë projektet e planifikuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, duke qenë falënderues edhe ndaj partnerëve tanë strategjik për angazhimin dhe përkushtimin e tyre të sinqertë.

Kryeministri në detyrë Kurti, vizitoi edhe Qendrën Operative të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së ku u njoftua për masat dhe veprimet e marra për luftimin e virusit Corona dhe për kontrollimin e tërë hapësirës administrative të Republikës sonë.

FSK-ja vazhdon edhe më tutje me gjendjen e gatishmërisë së nivelit 2, duke qenë gjithmonë e gatshme të mbështesë autoritetet civile të vendit në përballje me pandeminë COVID-19 dhe nevojat tjera.