FSK dhe Policia e Kosovës tërheqin trupin e pajetë të Besnik Osmanit, i zhdukur nga 24 marsi

Njësiti i Kërkim Shpëtimit malor i Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), sot ka kryer një operacion të kërkimit dhe nxjerrjes së trupit të pajetë të Besnik Osmanit, që ishte zhdukur nga 24 marsi i kërij viti.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, FSK-ja ka njoftuar se pas tërheqjes së trupit i është dorëzuar mjekësisë ligjore.

“Pavarësisht terrenit të papërshtatshëm dhe të vështirë malor, sot rreth orës 13:00 në afërsi të lumit Llapushnicë në mes të fshatrave Llofcë dhe Burincë të Komunës së Gjilanit, njësiti i kërkim shpëtimit të FSK-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës arriti të bëjë tërheqjen e trupit të pajetë. Trupi i pa jetë pas tërheqjes i’u dorëzua mjekësisë ligjore”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Komuna e Preshevës përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se  Besnik Osmani rezultonte si i humbur që nga 24 marsi i këtij viti. Ndërsa sot trupi i tij i pajetë u gjend në afërsi të lumit Llapushnicë në mes të fshatrave Llofcë dhe Burincë të Komunës së Gjilanit.

Besniku punonte në biblotekën “Memet Jusufi” në Preshevë dhe mbante postin e kontabilistit. Person shumë i dashur dhe komunikativ me të gjithë.