Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka reaguar pas ngjarjeve që ndodhën të martën mbrëma në “Air Albania” në ndeshjen Shqipëri – Poloni.
Para ndeshjes kishte pasur një konfrontim mes tifozëve shqiptarë dhe atyre polakë. Ndërsa në momentin e shënimit të golit nga Polonia, një nga lojtarët polak u godit me shishe plastike, për çka ndeshja u ndërpre për disa minuta.
“Ne jemi të vetëdijshëm se incidentet e të martës në mbrëmje nuk na nderojnë. Duhet të nxjerrim të gjithë mësime përsa na përket si organizatorë. Kishim 22 mijë tifozë të shkëlqyer dhe vetëm dhjetëra individë na njollosin gjithçka të mirë që skuadra ka bërë deri më tani. Një gjë është shumë e qartë: Ne nuk kemi tifozë të dhunshëm, nuk kemi një historik të tifozëve problematik, përkundrazi sjellja e shkëlqyer dhe mbështetja që tifozët tanë japin në ndeshjet dhe jashtë fushe është bërë objekt krenarie për ne. Ngjarjet e djeshme janë pasojë e një provokimi të vazhdueshëm, dhe një sjelljeje shumë agresive nga ana e tifozëve polak që kanë goditur për gati 2 orë tifozët tanë në dy tribuna. Tifozët polak njihen për të tilla sjellje dhe prej ditësh të gjithë autoritetet e përfshira në ndeshje kanë bërë maksimumin për të parandaluar ngjarje më të rënda”, thuhet nga FSHF-ja.
Shqipëria pësoi 1:0 në shtëpi nga Polonia, duke lëshuar kështu rastin për të shkuar në barazh për Botërorin 2022 në Katar.
“Nuk duhet të harrojmë se në të njëjtën orë me ndeshjen tonë në “Air Albania” Stadium, tifozë polak kanë qenë në Ëembley në ndeshjen Angli-Hungari dhe kanë pasur përplasje të shumta me tifozë vendas dhe policinë vendase. Ne nuk i shmangemi përgjegjësive tona, i njohim ato, por duhet të jemi gjithmonë pranë të vërtetës, sepse vetëm ajo na shërben për të ecur para. Në asnjë moment, askush, nuk duhet të drejtojë gishtin e akuzës dhe të shpallë fajtorë, por së bashku duhet të reflektojmë dhe të përmirësojmë punën tonë. Ne të parët, si dhe të gjithë aktorët e tjerë që kanë përgjegjësi për organizime të këtij niveli. E kemi të qartë se sa më shumë rritemi e bëhemi konkurrent, sa më shumë na besohet organizimi i aktivitete prestigjioze europiane, aq më e vështirë bëhet organizimi në perfeksion. Kjo është arsyeja që kemi nisur punën së bashku me autoritetet përkatëse për të rritur kapacitetet tona organizative. Shqipëria është një realitet tashmë në futbollin europian dhe ne duhet t’i përshtatemi këtij realiteti të ri. Nuk kemi mundësi të zgjedhim”, thuhet nga FSHF-ja.