Është vend malor e i favorshëm për zhvillimin e bujqësisë e të blegtorisë. Para vitit 1998 jetesën në këtë fshat e bënin mbi 80 shtëpi, me mbi 950 banorë. Madje, siç tregojnë banorët, ky fshat dikur krahasohej me Ferizajn për numrin e njëjtë të shtëpive. Atje ishin më shumë se 36 mullinj me ujë, të cilët përdoreshin për bluarjen e drithërave.
Pak kohë më pas, jetesa në fshatin Kashtanjevë të Komunës së Shtërpcës nuk ishte e lehtë, kjo për shkak të mungesës së kushteve infrastrukturore, e që atëherë shumë prej vendësve filluan shpërnguljen. Nga 80 sa ishin, mbeten afro 15 shtëpi.
E njëri që nuk u largua asnjëherë është bariu Sahit Vari. Në mes shumë vështirësive, Vari vazhdon jetesën në këtë fshat e përkujdeset për mbi 200 delet e tij. Ai thotë se u detyra ta ketë edhe një shtëpi në fshatin Pleshinë të Komunës së Ferizajt, për shkak të shkollimit të fëmijëve te tij.
Një banor tjetër, Zeqir Murseli flet për fillimin e shpërnguljes nga ai dhe bashkëfshatarët e tij. Ai tregon se numri më i madh i tyre kanë vazhduar jetën jashtë shtetit. Por tani disa banorë po kthehen për shkak të ajrit të pastër. E shumë prej tyre kanë nisur të ndërtojnë edhe shtëpi në pronat e të parëve të tyre.
Sherif Selimi është njëri prej banorëve, i cili e la këtë vend 40 vjet më parë. Në vitin 2002 në këtë fshat u ndërtua një shkollë për të nxitur banorët e këtushëm që të mos ketë shpërngulje të tjera. Megjithatë, objekti nuk u funksionalizua për atë që ishte destinuar.