Hulumtimi i ri i udhëhequr nga Universiteti i Kentit dhe Universiteti i Reading, ka zbuluar se konsumi i frutave dhe perimeve dhe ushtrimet fizike, mund të rrisin nivelet e lumturisë, shkruan portali “Neuroscience News”.
Ndërsa lidhja midis stilit të jetesës dhe mirëqenies është dokumentuar më pare, dhe është përdorur shpesh në fushatat e shëndetit publik për të inkurajuar dieta më të shëndetshme dhe stërvitje, zbulimet e reja të publikuara në gazetën, “Journal of Happiness Studies”, tregojnë se gjithashtu ekziston një ndikim pozitiv nga stili i shëndetshëm jetësor në kënaqësinë e jetës.
Ky hulumtim është i pari i këtij lloji që zbulon shkakun se si lumturia, konsumi i frutave dhe perimeve dhe stërvitja, janë të lidhura me njëra-tjetrën. Gjetjet tregojnë se aftësia e individëve për të zgjatur kënaqësinë dhe për të aplikuar vetëkontroll, luan një rol të madh në marrjen e vendimeve rreth stilit të jetesës, gjë që nga ana tjetër ka një ndikim pozitiv në mirëqenien e tyre. Hulumtimi gjithashtu tregon se meshkujt ushtrojnë më shumë, kurse femrat hanë më shumë fruta dhe perime.
Duke qenë se sëmundjet që vijnë si pasojë e stilit të dobët të jetesës janë shkaku kryesor i shëndetit të keq dhe vdekshmërisë në mbarë botën, dhe Britania e Madhe ka një nga normat më të larta të obezitetit në Evropë, këto zbulime të fundit mund të kenë ndikim të rëndësishëm në politikën e shëndetit publik.
Nxitjet e sjelljeve që na ndihmojnë për të përforcuar objektivat afatgjata, ka mundësi të jenë veçanërisht të dobishme në mbajtjen e një stili të shëndetshëm të jetesës. Nëse një mënyrë jetese më e mirë na bënë jo vetëm më të shëndetshëm por edhe më të lumtur, atëherë është një situatë e qartë fitimprurëse.