Fruta që ul rrezikun nga harresa

Një studim i ri sugjeron se boronica, një frutë e zakonshme, por e fuqishme, mund të ndihmojë në mbrojtjen e trurit nga harresa, ka raportuar Getsurrey.

Shkencëtarët në Universitetin e Cincinnatit, të udhëhequr nga profesori Robert Krikorian, kanë zbuluar se boronicat, falë përbërësve të tyre të pasur me antocianinë, një lloj antioksidanti që u jep ngjyrën e tyre karakteristike të kaltër, mund të ofrojnë mbrojtje kundër sëmundjes së demencës për personat në moshë të mesme.

Këto përbërje, që ndihmojnë frutën të mbrohet nga infeksionet, mund të kenë efekte të ngjashme mbrojtëse edhe për trurin e njeriut.

“Ne kemi vërejtur përmirësim të funksioneve të aftësive njohëse te të moshuarit që konsumojnë boronica dhe menduam se mund të jenë efektive edhe te personat më të rinj”, ka thënë profesori Krikorian.

Sipas tij, edhe sëmundja tjetër neurodegjenrative, Alzheimeri, ashtu si shumica e sëmundjeve kronike të pleqërisë, fillon të zhvillohet vite përpara se të shfaqen simptomat, që në moshë të mesme.

Profesori ka shpjeguar se vetitë që e ndihmojnë boronicën të mbijetojë, mund të reduktojnë inflamacionin, të përmirësojnë metabolizmin dhe të rrisin prodhimin e energjisë brenda qelizave të trupit të njeriut, përfshirë edhe qelizat e trurit.

Studimi, i publikuar në revistën Nutrients, përfshiu 33 persona të moshës 50 deri në 65 vjeç, me mbipeshë dhe me nivele të larta të sheqerit në gjak, një grup i rrezikuar nga problemet e kujtesës dhe zhvillimi i demencës. Të gjithë pjesëmarrësit kishin filluar të ndienin vështirësi me kujtesën për shkak të moshës.