Ish-deputeti Frashër Krasniqi ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga Albin Gashi kandidat i Vetëvendosjes për deputet. Ai thotë se rastin e ka lajmëruar sot në polici, megjithatë, shton se nuk beson se do të ketë rezultat.
“Para 3 vitesh, në një situatë afeksioni unë vetë e kam sulmuar fizikisht një bashkëbisedues në debat politik. Menjëherë pas atij rasti pata folur dhe shprehur keqardhje. Sepse nuk besoj në dhunën fizike si mjet për asnjë qëllim politik dhe të çfarëdollojit tjetër. Sot e asaj dite ndjej keqardhje dhe turp sa herë që dikush ma përmend atë rast. Sepse sot e asaj dite nuk besoj që dhuna fizike është sjellje e pranueshme politike e sociale.
U sulmova fizikisht nga Albin Gashi, kandidat i VV-së për deputet, dhe djali i avokatit Tomë Gashi, dhe nuk ia ktheva. Sepse sulmin që e pata bërë në afekt në debat televiziv, u pata zotuar që nuk do ta përsëris asnjëherë.
Para 3 vitesh, sapo isha liruar nga arresti shtëpiak 1 vjeçar, për një rast të montuar politikisht dhe të pabazuar në asnjë provë. Dhe kur në emisionin në Klan Kosova, vazhduan akuzat krejt të pabaza nga bashkëbiseduesi im në debat, në situatë afekti e pata sulmuar. Kjo ishte gjendja ime. Më patën nxjerrë nga takti akuzat e shpifjet e vazhdueshme që na e kishin bërë jetën shumë të rëndë për 1 vjet rresht”, ka shkruar ai.
“Cila ishte gjendja e Albin Gashit, kandidatit të VV-së kur më sulmoi mua?! Ishte gjendja e pushtetit që në debat para pak ditësh i kishte hunbur argumentet. Pas humbjes së debatit televiziv nga Tomë Gashi, nuk iu mjaftuan fyerjet dhe ofendimet e ulëta ndaj Nol Nushit dhe Teutë Rrustës. Sepse pushtetit që ska argumente, forca i bëhet argumenti kryesor. Pozita e Albin Gashit kur më sulmoi ishte ajo e militantit partia e të cilit është në pushtet dhe partia e të cilit linqon njerëz që s’pajtohen me të, i kërcënon e i shantazhon, dhe në fund e merr të drejtën, prej pozitës së pushtetit, që t’i sulmojë edhe fizikisht në rrugë. Sot, po e kuptoj hala më qartë, se çfarë rreziku po i kanoset Kosovës. Në emër të luftës ndaj krimit e korrupsionit, po na vjen autokracia. Në emër të ndryshimit, po na vjen shtypja e mendimit ndryshe. Veçse bashkë me çdo shtypje vjen edhe rezistenca. Këtë e di VV-ja dhe e Qeveria Kurti më mirë se gjithkush tjetër. E rezistenca vazhdon… P.S. Rastin e paraqita në polici, anipse s’besoj në ndonjë rezultat”, ka deklaruar Krasniqi.