Franca gjobit Google dhe Facebook

Rregullatorët francezë kanë goditur kompanitë, Google dhe Facebook me 201 milionë euro gjobë, për shkak të përdorimit të mekanizmit për gjurmim online të përdoruesve, kanë thënë autoritetet më 6 janar.

Gjoba prej 150 milionë eurosh ndaj Google është lëshuar nga Komisioni Kombëtar i Francës për Teknologji Informative dhe Liri.

Ky institucion ka gjobitur gjigantin Google me gjobë prej 100 milionë eurosh edhe në dhjetor të vitit 2020.

“Koomisioni ka vërtetuar se faqet facebook.com, google.fr dhe youtube.com nuk iu mundësojnë përdoruesve që të refuzojnë përdorimin e të dhënave të tyre, me aq lehtësi sa të pranojnë këtë kërkesë”, ka thënë trupi rregullativ.

Të dyja platformat kanë tre muaj kohë për të ndryshuar praktikat, pasi më vonë Franca do të vendosë gjoba prej 100,000 eurosh në ditë.

Google ka thënë për agjencinë e lajmeve, AFP se do të ndryshojë praktikat e veta.

“Në përputhje me pritshmëritë e përdoruesve të internetit, ne jemi të përkushtuar për të zbatuar ndryshime të reja, si dhe të punojmë me Komisionin francez pas vendimit të tij”, ka thënë kompania amerikane përmes një deklarate.

I njohur si “cookies”, ky mekanizëm i të dhënave formohet në kompjuterin e përdoruesve kur ata vizitojnë një faqe, çka u mundëson kompanive të ruajnë informacionin rreth vizitës së faqes.

Ky mekanizëm është shumë i rëndësishëm për Google dhe Facebook, si mënyrë për të personalizuar reklamat – burimin kryesor të të hyrave.