Fotografia që e tregon afërsinë e Kurtit me Ridin, të arrestuarin për keqpërdorim me rezerva shtetërore

Në rrjetet sociale është duke qarkulluar një fotografi e cila e tregon afërsinë e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, me të arrestuarin Ridvan Muharremin, i cili bashkë me dy zyrtarë të MINT-it dyshohen për keqpërdorim me rezerva shtetërore.

Muharremi u arrestua dje në restorantin e tij “Bukë e Zemër”, ndërsa sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë ia caktoi atij masën e paraburgimit prej një muaji, njofton Klankosova.tv.

Dje ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se nuk e njeh Ridvan Muharremin, i njohur si “Ridi”, por këtë gjë ia hodhi poshtë avokati i këtij të fundit.

Avokati Mahmut Halimi, tha sot se klientin e tij “e ka angazhuar Ministria, drejtpërdrejt ministrja Hajdari” për blerjen e rezervave shtetërore.

Në fotografi, përveç Kurtit, shihet edhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi.

Se Ridvan Muharremi është i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Kurti e dëshmon edhe një postim në faqen e restorantit “Bukë e Zemër”, ku kishin publikuar një fotografi me numrin që VV-ja e bartte në zgjedhjet e fundit, “127”.