Formohet Rrjeti për Hulumtim dhe Edukim i Kosovës

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (MAE), sot ka marrë formë Rrjeti për Hulumtim dhe Edukim i Kosovës, me anë të një memorandumi mirëkuptimi me institucionet e arsimit të lartë.


Ishin përfaqësuesit e 20 universiteteve dhe kolegjeve që nënshkruan memorandumin bashkë me ministrin Blerim Kuçi, duke e cilësuar këtë si ngjarje të rëndësishme në ndërlidhjen e arsimit dhe teknologjisë. 

Ministri Blerim Kuçi theksoi se qëllimi i këtij memorandumi është promovimi i zhvillimit ekonomik dhe rritja e punësimit përmes përfshirjes së teknologjisë së informimit dhe komunikimit, në veçanti qasja e resurseve të teknologjisë dhe dijes për studentët dhe profesorë të të gjitha kolegjeve dhe universiteteve në Kosovë. 

“Përmes nënshkrimit të këtij memorandumi, unë ndjej kënaqësi sepse Kosovës i mundësohet qasje në një rrjet ndërkombëtar për t’i mundësuar dijen studentëve dhe profesorëve në qasjen e rrjeteve të ngjashme që janë në botë. Kjo është një risi, një mundësi shtesë të cilën ne duhet ta shfrytëzojmë dhe sot po nënshkruajmë marrëveshjen e mirëkuptimit bashkë me ju”, tha Kuçi. 

Ndërsa, Fjolla Restelica-Ahmeti, koordinatore e projektit për ekonominë dixhitale ne Kosovë – projekti “KODE”, theksoi se përmes këtij projekti synohet që të financohen të gjitha aktivitetet që do ta ndihmojnë Kosovën në transformimin dixhital të vendit. 

 “Vetëm Kosova në rajon ende nuk e ka krijuar këtë rrjet dhe është më se i nevojshëm  që përmes këtij rrjeti të ofrojë bashkëpunimin në mes të universiteteve tona fillimisht, dhe po ashtu edhe lidhjen e universiteteve tona me rrjetin më të madh evropian të hulumtimit dhe kërkimit shkencorë në Evropë”, tha ajo.


Ky rrjet pretendon që të arrijë zhvillimin e komunitetit të hulumtuesve, duke i siguruar këtij komuniteti qasje në resurse të ndryshme dixhitale, si: qasje në infrastrukturë moderne të teknologjisë së informacionit, shërbime të ndryshme dixhitale, qasje në literaturë, si edhe të ofrojë bashkëpunim në mes të institucioneve arsimore brenda dhe jashtë Kosovës.