Formimi i qeverisë së re, Konjufca: Besoj i kemi numrat

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca është shprehur optimist për formimin e Qeverisë së re.

Ai para mediave ka deklaruar se beson që i kanë numrat për formimin e qeverisë, transmeton Telegrafi.

“Krejt çka presim është të themelohet sa më shpejtë qeveria, fillimisht duhet të konstituohet kuvendi, besoj i kemi numrat”, tha ai.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet që së shpejti të caktoi datën për mbajtjen e seancës konstituive për formimin e qeverisë së re.

Dekreti për mbajtjen e seancës konstituive pritet të publikohet sot gjatë ditës.

Kështu bëri të ditur për Telegrafin, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.

Ky akt ligjor është një hap i rëndësishëm në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit.

Publikimi i dekretit pritet të shënojë fillimin e procedurave për krijimin e qeverisë së re.

KQZ-ja certifikoi rezultatet përfundimtare të enjten më 27 mars dhe sipas tyre LVV-ja ka fituar 48 ulëse, PDK-ja e dyta me 24 ulëse, LDK-ja 20 dhe koalicioni AAK-Nisma 8 ulëse.

Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani tha se shumë shpejt do të caktohet data për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Afati ligjor për këtë është 30 ditë.