FMN-ja i jep Shqipërisë 175 milionë euro hua për të luftuar pasojat e pandemisë

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), i ka ardhur në ndihmë Shqipërisë për të luftuar pandeminë e COVID-19 dhe për të rimbëkëmbur ekonominë, duke i dhënë një hua prej 175 milionë euro.

Zëvendësdrejtori i FMN, Tao Zhang tha se sfida e menjëhershme është përgjigja efektive ndaj Covid-19 duke forcuar kujdesin shëndetësor dhe zbutur efektet e krizës për ato sektorë dhe familje që janë prekur më shumë, transmeton OraNews.

“Për të kufizuar ndikimin e Covid-19 është e nevojshme të rritet në mënyrë të konsiderueshme defici fiskal në 2020. Është e rëndësisë kritike që të sigurohen shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor dhe mbështetje për qytetarët dhe firmat që janë dëmtuar nga pandemia Covid-19. Autoritetet shqiptare mbeten të angazhuara për të siguruar stabilitetin makroekonomik. Kur këto goditje të jenë tejkaluar, do të jetë e rëndësishme që borxhi të kthehet në një trajektore të qartë rënëse”, ka thënë ai.