Dy të rinj nga Malisheva pa e ditur që ishin të infektuar me koronavirus kishin shkuar për të shitur fidane në Krushë të Madhe.
Të njëjtit më pas ishin arrestuar nga policia ku pas testeve kishin rezultuar pozitiv me COVID-19.
Njëri nga ta, 23 vjeçari nga Malisheva tregon për RTV Dukagjinin si rrodhi ngjarja.
“Kemi shkuar në Krushe për t’i dorëzuar disa fidanë, dhe në momentin kur po mbyllnim kamionin ka ardhur policia dhe na ka arrestuar. Nga Rahocevi na kanë dërguar në burg në Gjakovë ku na kanë mbajtur 48 orë”.
I riu tregon se pas dërgimit në Klinikën Infektive ka kuptuar se rezultuar pozitiv me COVID-19. Ai thotë se nga dita e diel kur ka rezultuar pozitiv nuk ka pasur ndonjë simptomë, përcjell Telegrafi.
Ai thotë se në familjen e ngushtë nuk ka pasur ndonjë person të infektuar dhe as që e ka pasur idenë që vet është pozitiv me COVID-19.
“Po të dinim që kemi diçka ne do të izoloheshim më herët dhe nuk do të lëviznim”.
I riu që është kushëri me kryetarin e Malishevës, thotë se nuk e di se nga mund të jetë infektuar me koronavirus.