Fjalët e Haxhi Krasniqit pasi u shpall kampion bote: Kam qarë e kam qeshur, por tani kam arritur të përmbush ëndrrën time

Haxhi Krasniqi është kampion bote në versionin WBA, në kategorinë gjysmë të rëndë, dhe në versionin IBO.

Boksieri shqiptar priti 15 vite për ta bërë realitet ëndrrën e tij që të jetë kampion bote.

Krasniqi u bë kampion bote pasi në përballje me gjermanin Dominic Boesel triumfoi pasi e nokautoi kundërshtarin në raundin e tretë.

Pas meçit Krasniqi dha një deklaratë emocionuese, duke thënë se ka qarë dhe ka qeshur gjatë këtyre viteve për ta arritur qëllimin e tij.

“I uroj Dominicut rikthim të shpejtë. Jemi familje e madhe… Kjo luftë ka zgjatur 15 vjet. Kam pasur ulje dhe ngritje. Kam qarë, kam qeshur. Tani kam arritur të përmbush ëndrrat e mia”, ka deklaruar Krasniqi.

33-vjeçari ka 57 meçe të zhvilluara në boksin profesionist, ku ka marrë 51 fitore e gjashtë disfata.

Meçi ndaj Boesel ishte i treti për kampion bote në katër versionet e mëdha si WBC, WBA, IBF e WBO, por në dy herët e kaluara kishte pësuar humbje.