Fjala e plotë e ministrit Vitia ku kumtoi lajmin për lehtësimin e masave

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se nga dita e enjte më 28 maj do të rritet koha e lëvizjes për qytetarët. Nga 4 orë në 16 orë në ditë.

“Nga kjo mund ta kuptoni se ndër masat lehtësuese janë edhe ato për fillimin e hapjes së objekteve fetare, të cilat do të hapen këtë të enjte, pra me 28 maj. Nga data 28 maj, gjithashtu orari i lëvizjes për qytetarët do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në ora 21:00 të mbrëmjes. Deri në fund të këtij muaji do të mbyllet karantina në përputhje me situatën e re epidemiologjike në vend dhe në bashkërendim me veprimet e shteteve të rajonit dhe më gjerë”, tha Vitia.

Të nderuar mjekë, infermierë, policë, inspektorë, kryetarë të komunave dhe prijës fetarë.

Të dashur qytetarë,

Më lejoni që fillimisht të falënderoj punëtorët shëndetësorë të cilët janë në vijat e frontit duke u kujdesur për jetën e secilit nga ne. Policët dhe inspektorët të cilët po kujdesen për zbatimin e masave të qeverisë si dhe të gjithë ju të dashur qytetarë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj.

Dua të falënderoj po ashtu MEPTINIS, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Transportit, Ministrinë e Mbrojtjes si dhe të gjitha institucionet tjera qeveritare dhe jo-qeveritare të cilat kanë dhe janë duke ndihmuar vazhdimisht. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

Ashtu siç jeni të informuar, dje kemi pasur 0 raste të infektuar me virusin korona. Ky është një sukses i përbashkët falë përkushtimit të institucioneve përgjegjëse dhe durimit dhe bashkëpunimit të qytetarëve.

Deri sot kemi 1032 të infektuar 789 të shëruar, 29 të vdekur dhe 214 raste aktive.

Janë realizuar mbi 13 mijë teste dhe do të vazhdojmë të testojmë çdo ditë sepse rreziku nga virusi ende nuk ka kaluar.

Ashtu siç kemi thënë më herët, ne duhet të mësohemi që të bashkëjetojmë me virusin. Virusi mund të ndryshojë dhe të përshtatet, prandaj edhe ne duhet të tregojmë aftësinë për t’u përshtatur në luftimin e tij.

Në fillim masat ishin më të vështira sepse situata ishte më e rënduar, por nga 4 maji, ne kemi filluar me një plan prej tre fazave përmes të cilave po synojmë kalimin në një normalitet të ri.

Para një jave me kryeministrin e Kosovës z. Albin Kurti, prezantuam fazën e dytë të hapjes graduale të ekonomisë dhe lirisë së lëvizjes, ku theksuam se do bëhet edhe një analizë tjetër epidemiologjike deri me datën 25.

Pas diskutimeve që kemi pasur javën që shkoi dhe rezultateve nga tereni, jemi mjaftueshëm të inkurajuar që të prezantojmë masat e reja lehtësuese.

Siç mund ta shihni, unë sot jam i shoqëruar nga Kreu i Bashkësisë Islame, Myftiu Tërnava, nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot – Dodë Gjergji si dhe nga profesor Naser Ramadani nga IKSHP dhe dr. Lindita Ajazaj-Berisha, drejtoreshë në Klinikën Infektive.

Nga kjo mund ta kuptoni se ndër masat lehtësuese janë edhe ato për fillimin e hapjes së objekteve fetare, të cilat do të hapen këtë të enjte, pra me 28 maj.

Nga data 28 maj, gjithashtu orari i lëvizjes për qytetarët do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në ora 21:00 të mbrëmjes.

Deri në fund të këtij muaji do të mbyllet karantina në përputhje me situatën e re epidemiologjike në vend dhe në bashkërendim me veprimet e shteteve të rajonit dhe më gjerë.

Në fazën e tretë, e cila fillon me 01 qershor, në përputhje me situatën epidemiologjike, parashihen masa të reja lehtësuese të cilat do të çlirojnë edhe më shumë ekonominë.

Qytetarë të dashur, është tejet e rëndësishme të kuptojmë se derisa po kalojmë në një fazë të re ku po rritet liria dhe po çlirohet ekonomia, po ashtu po kalojmë në një periudhë të re të rritjes së përgjegjësisë qytetare.

Çdo hap përpara që bëjmë, bartë edhe rrezikun me vete derisa virusi është ende në mesin tonë.

Virusin nuk e kemi mundur, prandaj nuk mund të sillemi sikur ai nuk ekziston. Virusi është armik i padukshëm, por indiferenca e neglizhenca jonë janë armiq të dukshëm.