Fjala e plotë e kryeministrit Kurtit për buxhetin 2024

Faleminderit e nderuara nënkryetare e Kuvendit të Republikës,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Të nderuar kabinet qeveritar,

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Ai do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe i sigurisë, për çfarë kemi ndarë rreth 370 milionë euro ose 22% më shumë sesa aktualisht. 153 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për Ministrinë e Punëve të Brendshme, më së shumti ndonjëherë. Ushtrisë sonë, të cilës ia kemi rritur buxhetin për më shumë se dyfish prej kur kemi ardhur në qeverisje dhe numrin e ushtarëve për më shumë se 2/3-tat, do t’ia shtojmë edhe 600 ushtarë më shumë në vitin 2024. Kurse Policia jonë, që ka 850 policë të rinj gjatë qeverisjes sonë, vitin tjetër do t’i ketë edhe 500 rekrutë të tjerë, dhe 21.7 milionë euro për investime kapitale ose 9 milionë euro më shumë sesa këtë vit.

Buxheti i vitit 2024 do të jetë po ashtu prioritet në programin tonë qeverisës sa i përket nevojave të qytetarëve për një ekonomi të fortë, me më shumë vende të punës; për shëndetësi gjithëpërfshirëse me shërbime më të mira; arsim të zhvilluar me cilësi më të lartë; e sundim të ligjit me drejtësi të reformuar.

Përgjatë gati 32 muajve të mandatit tonë, ekonomisë iu shtuan 60 mijë vende pune, ku gjysma e të punësuarve janë të rinj e të reja nën moshën 25 vjeçare. Vetëm përmes platformës së punësimit, SuperPuna, për 8 muaj që nga funksionalizimi i saj, janë punësuar mbi 7 mijë e 700 të rinj mes moshës 18 dhe 25 vjeç – që i bie përafërsisht diç më pak se një mijë të punësuar në muaj. Andaj, për të vazhduar me nxitjen e punësimit në sektorin privat, në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë 29 milionë euro për masat e punësimit.

Ndërkaq, për sa i përket sektorit publik, siç kemi thënë edhe në shkurt të këtij viti, koeficienti i pagave në sektorin publik për vitin 2024 do të jetë 110 euro.

Do të vazhdojmë të investojmë në renovimin e spitaleve, përmirësimin e shërbimeve dhe blerjen e pajisjeve të teknologjisë së fundit, ashtu që më të dashurve tanë, në momentet më të vështira të tyre, të ju mundësohet kujdesi i duhur. Për vitin 2024, ShSKUK-së i është shtuar buxheti për 25%, kurse për shëndetësinë si sektor në tërësi kemi ndarë mbi 340 milionë euro përfshirë edhe grantin për komunat.

Për ndërtimin e çerdheve, zbatimin e reformave, dhe mbështetjen e të rejave e të rinjve me bursa, së bashku me grantin që u ndahet komunave, sektorin e arsimit do ta mbështesim me 370 milionë euro apo rreth 20% më shumë sesa në vitin 2023.

Ministrisë së Drejtësisë ia kemi ndarë 31% më shumë buxhet ashtu që të zbatohen deri në fund reformat e nisura në drejtësi, sepse edhe zotimi ynë për këtë mandat qeverisës e për këtë legjislaturë të Republikës ishte punë dhe drejtësi.

95 milionë euro i kemi paraparë për mbështetjen tonë për nënat lehona dhe fëmijët nën 16 vjeç, nga e cila deri më tani kanë përfituar mbi 40 mijë gra nëna të reja dhe 373 mijë fëmijë.

Për vitin tjetër, gjithashtu ndamë 14 milionë euro për banimin social, 11 milionë euro për blerjen e objekteve të ambasadave të Republikës së Kosovës nëpër botë dhe 65 milionë euro për bujqësi.

Do të ketë investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore e hekurudhore, në zona të reja ekonomike, në diga e rrjete të ujësjellësit, dhe në kapacitete të reja energjetike. E për këtë kemi paraparë një buxhet prej 860 milionë euro.

Vetëm për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kemi ndarë 58 milionë euro për investime kapitale në sport e infrastrukturë për vitin që po vjen. Sepse festën dhe gëzimin për kandidaturën e suksesshme për Lojërat Mesdhetare 2030 duhet ta përcjellim me investime të menjëhershme dhe përgatitje të hershme për një organizim të suksesshëm. E trendi i njëjtë do të vazhdojë edhe për vitet pasuese deri në përmbushjen e planeve të investimeve deri në vitin 2030 që pritet të kapin vlerën prej 250 milionë euro.

Buxheti i komunave në vitin 2021 ishte 547 milionë euro. Sivjet është 654 milionë euro. Në vitin 2024 ai do të jetë gati 200 milionë më shumë sesa në vitin e parë të qeverisjes sonë, ose 742 milionë euro. Prej të cilave 635 milionë euro janë grant për komunat nga Qeveria, kurse pjesa tjetër janë të hyra vetanake të komunave. Pra ky buxhet i Qeverisë është po ashtu edhe buxheti i komunave.

Për më tepër buxheti i vitit të ardhshëm përsëri do të jetë edhe buxhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Atij po ia shtojmë edhe një milion, krahasuar me vitin aktual pra, nga dy në tre milionë euro për vitin 2024. Kjo mbështetje është më e larta ndonjëherë, dhe është më shumë se të gjitha qeveritë paraprake marrë së bashku.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Me projektbuxhetin për vitin 2024 forcojmë mbrojtjen e Republikës, e rrisim sigurinë e qytetarëve dhe e mundësojmë zhvillimin e vendit e mirëqenien e popullit. Andaj ju ftoj secilën dhe secilin prej juve që me votën tuaj ta mbështesni atë.

Ju faleminderit!