Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka njoftuar se e ka përmbyllur vitin 2023 me +87.7 milionë euro kthim bruto nga investimet.
Vitin 2022 investimet e Trustit ishin tkurrur për 122 milionë euro.
Sipas njoftimit të Trustit vitit 2023 është viti i 19-të, nga gjithsej 22 vite të operimit, ku institucioni del me rezultat pozitiv nga investimi i kursimeve pensionale.
“Kjo shpiu në +750 milionë euro kthim të gjithmbarshëm bruto prej themelimit. Arkëtimi i kontributeve të reja në 2023-shin, në vlerë 286 milionë euro, pasqyron një rritje rekorde krahasuar me vitin paraprak, si në vlerë nominale (+44 milionë euro) por edhe si përqindje (+18.2%). Kontributet e reja, bashkë me kthimin në investime, ndryshe nga tërheqjet e kursimeve dhe tarifat, kanë kontribuuar pozitivisht që mjetet neto nën menaxhim të FKPK-së të rriten sivjet për +291 milionë euro dhe ta kështu tejkalojnë vlerën e 2.7 miliardë eurove”, thuhet në njoftim.
Fondi prej vitit 2022 operon me dy portofole investuese: Portofolin Standard – për kontribuuesit nën moshën 63-vjeçare; dhe Portofolin Konservativ – për kontribuuesit e moshës 63 vjeç e sipër. Për këtë arsye raportimet për këto dy portofole, që edhe kanë performancë të ndryshme, bëhen të ndara.
“Performanca e investimeve për Portofolin Standard për vitin 2023 ishte +3.05% (2022:5.54%; 2021: +10.65%). Synimi i këtij portofoli është që në afatgjatë ta tejkalojë indeksin e çmimeve të konsumit (ndryshe inflacionin) në Kosovë. Aktualisht çmimi i njësisë së këtij portofoli është ngritur për 67.6% prej themelimit, ndërsa inflacioni në Kosovë për 70.2%. Bordi Drejtues, i emëruar në detyrë prej 13 korrikut 2023, e ka ruajtur përgjithësisht qasjen e ndërmarrjes së riskut të ulët në investimet e Portofolit Standard nga Bordi paraprak. Kjo meqë gjendja e përgjithshme ekonomiko-financiare dhe gjeopolitike ishte dukshëm e ngarkuar nga ngjarje me potencial të lartë të ndikimit negativ në performancën investuese”, thuhet në njoftim ku shtohet se kjo qasje pritet të rishikohet gjatë vitit 2024.
Në komunikatë janë paraqitur edhe të dhënat për Portofolin konservativ. “Në Portofolin Konservativ kishim ngritje prej +3.47% të çmimit të njësisë për vitin 2023 (2022: +2.94%). Për shkak se investimet e këtij portofoli janë vetëm në fletobligacionet e Qeverisë së Kosovës ato nuk ndikohen nga ndryshimet në tregjet financiare, rrjedhimisht kanë stabilitet më të lartë. Kthimi bruto i këtij Portofoli nga fillimi (shkurt 2022) ka arritur në 5.1 milionë euro. Qëllimi i këtij portofoli është që të ruajë vlerën e kursimeve pensionale nga lëvizjet në tregjet financiare të kontribuuesve që janë shumë afër pensionimit dhe nuk mund të kenë kohë të mjaftueshme të rikuperimit nga luhatjet e forta negative në tregjet financiare globale”, thuhet në njoftim.
Në njoftim janë treguar edhe pritshmëritë që ka Trusti për vitin 2024. “Ekziston një vlerësim që ngritja e përgjithshme ekonomike globale për vitin 2024 do të jetë rreth 2.4%. Ky parashikim vlerëson se kështu do të jetë viti i tretë rresht që ekonomia globale do të ketë regres në ngritjen ekonomike. Nën këto kushte, dhe në vlerësim të rreziqeve gjeopolitike në rritje, Bordi Drejtues i FKPK-së pritet të vazhdojë me vendime investuese që ndërmarrin risk të moderuar investues. Gjithsesi se vendimi më i rëndësishëm i vitit në vijim do të jetë inicimi i zbatimit të portofolit të tretë investues, për të cilin do të ketë njoftime të detajuara para fillimit të tij”, thuhet në njoftim.