Derisa në Evropë deri më tani disa kampionate janë anuluar, e të tjerat po mundohen të rifillojnë pas një ndërprerje prej disa muajsh shkaku i koronavirusit, në Bjellorusi nuk po bëhet hesap pandemia, shkruan Gazeta Express. Askush nuk po trembet nga COVID-19!
Atje është zhvilluar finalja e Kupës, madje në praninë e 5 mijë shikuesve, të cilët nuk kanë përdorur as masa elementare mbrojtëse siç janë maskat apo dorëzat e as nuk e kanë respektuar distancën sociale.
Ekipi i futbollistit shqiptar, Elis Bakajt, Dinamo Brest, e ka humbur finalen nga Bate Borisov me rezultat 1:0. Gazeta Express raporton se kjo ndeshje i kishte tubuar 5 mijë shikues. Bakaj nuk ka luajtur shkaku i një lëndimi që e ka pësuar para një muaji. Ndeshja ka shkuar në vazhdime dhe kur priteshin penalltitë Bate Borisov e ka shënuar golin e fitores.
Pavarësisht pandemisë e cila i ka ndërprerë aktivitetet sportive në Evropë dhe në botë, në Bjellorusi futbolli po vazhdohet normalisht dhe me numër të madh shikuesish.
Në Bjellorusi koronavirusi i ka prekur rreth 36 mijë njerëz, prej tyre 200 kanë vdekur.