Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar të enjten se ka filluar subvencionimi i energjisë elektrike për familjet e cenueshme.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë të ditur se 40 mijë e 620 familje që janë kualifikuar në grupin e parë, do të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë elektrike.
Subvencionimi sic ka thënë ai, do të bëhet direkt në faturë, i ndarë në gjashtë këste mujore, duke filluar nga fatura e janarit.
“Subvencionimi bëhet në kuadër të pilotimit të Programit për Mbështetjen e Familjeve të Cenueshme, që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian 🇪🇺. Komisioni zbatues ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet e familjeve që kanë aplikuar online. Gjithashtu, me automatizëm janë shqyrtuar sipas kritereve të njëjta edhe familjet që në të kaluarën kanë përfituar nga skema e vjetër mbështetëse, meqenëse të dhënat e tyre i kemi pasur në databazë”, ka shkruar Murati.
Ministri më tej ka thënë se të gjitha familjet që janë miratuar nga Komisioni zbatues e që kanë përfituar nga subvencionimi, këtë do të mund ta shohin në faturat e tyre të energjisë elektrike.
“Vlen të theksohet se gjatë shqyrtimit Komisioni ka hasur në numër të konsiderueshëm të aplikacioneve që kanë përmbajtur gabime dhe ka qenë e pamundur që këto aplikime të shqyrtohen. Në lidhje me këtë, aplikuesit do të pranojnë një e-mail me udhëzimin se si të riaplikojnë me të dhëna të sakta”, ka shtuar ai.
“Gjithashtu, kanë qenë edhe rreth 10 mijë aplikacione që nuk kanë përmbushur kriterin e të ardhurave për t’u konsideruar si familje e cenueshme – kanë pasur të ardhura që kanë tejkaluar nivelin mesatar prej 150 euro/muaj/anëtar. Këta aplikues do të pranojnë një email që i njofton për refuzimin e aplikimit”.
Murati ka njoftuar se do të ketë edhe një grup të dytë të aplikimeve që do të shqyrtohen, dhe aplikimi është i hapur deri më datën 31 janar 2024, në platformën eKosova, tek ‘Shërbime’, ‘Grante dhe Subvencione’ dhe ‘Aplikimi për subvencionim të energjisë elektrike për familjet e cenueshme’.
“Qeveria për të gjithë!”, ka përfunduar ai.