Ka fillur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Mbledhja po udhëhiqet nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani derisa të pranishëm janë përfaqësueses të të gjitha partive politike që do të jenë në Kuvend të Kosovës edhe në legjislaturën e re.
Në këtë mbledhje do të diskutohet mbi përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës së tetë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ndryshe, Osmani, në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, ka caktuar për datën 22 mars seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në orën 10:00, teksa përgatitjet për mbajtjen e saj do të kryhen konform procedurave në fuqi.
Një ditë më parë Osmani dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti kanë takuar përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për tu konsultuar lidhur me formimin e institucioneve.
Osmani dhe Kurti pritet gjatë javës t’i vazhdojnë takimet edhe partitë tjera.