Sot për herë të dytë ka filluar dezinfektimi i rrugëve të Prishtinës.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook ka publikuar edhe video gjatë dezinfektimit.
“Sot fillojmë edhe një larje/dezinfektim të rrugëve në betejën tonë me virusin Covid19. Po shpresojmë të ngadalësojmë edhe më shumë. Faleminderit të gjitha ekipeve”, ka shkruar Ahmeti, raporton Koha.
Koordinatori i mirëmbajtjeve të rrugëve të kryeqytetit, Bujar Abazi, më herët gjatë një lidhjeje direkte në emisionin SOT në KTV, tha se dezinfektimi do të bëhet në të gjitha rrugët e kryeqytetit e më pas edhe në periferi.
Komuna ka njoftuar se dezinfektimi do të bëhet nëpër hapësira publike dhe mobilerisë urbane (ulëseve, shportave, shtyllave etj.) përmes pompave të krahut.
“Ky dezinfektim është pjesë e masave mbrojtëse të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së #covid19. Kurse, qytetarët i lusim që t’i shmangin maksimalisht daljet”, ka njoftuar komuna.