Bisedimet midis delegacioneve ukrainase dhe ruse në Bjellorusi kanë filluar pak para orës 13:00 me orën ukrainase, të hënën.
Delegacioni i Ukrainës përfshin disa zyrtarë të rangut të lartë, por jo vetë presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Vendi kërkoi një “armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të trupave ruse” përpara takimit.
Të dy delegacionet janë pritur nga Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Vladimir Makei, i cili i siguroi se duhet të ndihen plotësisht të sigurt.
“Të dashur miq, Presidenti i Bjellorusisë më kërkoi t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju siguroj gjithçka për punën tuaj, siç është rënë dakord me Presidentin Zelensky dhe Presidentin Putin. Këtu mund të ndiheni plotësisht të sigurt. Kjo është detyra jonë e shenjtë. Presidenti Lukashenko shpreson sinqerisht se gjatë bisedimeve të sotme do të jetë e mundur të gjenden zgjidhje për të gjitha çështjet e kësaj krize. Të gjithë bjellorusët po luten për këtë. Çdo propozim për organizimin e takimit të sotëm do të shqyrtohet dhe do të përmbushet absolutisht. Ne presim me padurim rezultatet”, ka thënë Makei.
Vendndodhja e saktë e bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës të hënën është mbajtur sekret për arsye sigurie. Bisedimet janë në Bjellorusi, por i vetmi vend që është njoftuar është se ato janë në brigjet e lumit Pripyat në rajonin Gomel të Bjellorusisë.