Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për situatën në futbollin e Kosovës, pas përhapjes së Pandemisë së Covid 19.
Sipas njoftimin, KE analizoi opsionet e mundshme për rifillimin e garave dhe për këtë FFK-ja është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet shtetërore, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe KOK-un sikur edhe me UEFA-n dhe FIFA-n dhe varësisht prej situatës së shpejti pritet edhe të merret vendimi për garat në futbollin e Kosovës.
“KE trajtoi gjendjen dhe ecurinë e realizimit të projekteve infrastrukturore, të cilat edhe në këtë kohë të vështirë janë kryer shumë punë varësisht nga rrethanat e lejueshme dhe do të vazhdojnë edhe më tutje. KE shqyrtoi dhe miratoi Raportin Financiar për vitin 2019”.
“Duke parë gjendjen e rëndë me të cilën po ballafaqohet Kosova, KE mori vendim që pagat e të punësuarve në FFK, të ulen deri në 50 për qind e të cilat mjete do të shfrytëzohen për pako ushqimore për njerëzit me nevojë. KE shqyrtoi edhe kërkesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi”, thuhet në njoftim.
Në ditët në vijim pritet të ketë një vendim pas takimeve që do të mbahen, ku do të vendoset për sportin.