FIFA përmes Gazetës Express ka shpjeguar se kah duhet të shkojnë 462 mijë euro që i derdhi në xhirollogarinë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila thotë se ato para i takojnë vetëm asaj. Kjo ngjalli reagim te klubet në Ipko Superligë, që po ashtu presin të përfitojnë nga kjo shumë.
Koronavirusit përpos që e ka ndërprerë kampionatin kosovar nga 13 marsi dhe ka filluar të prodhojë krizë të madhe financiare në futbollin tonë, COVID-19 po iu kontribuon edhe ngritjeve të tensioneve të vazhdueshme në mes disa klubeve elitare dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Ende pa u heshtur polemika rreth pakos emergjente që FFK-ja ndau për futbollistë, trajnerë dhe punonjës tjerë të futbollit, për çka nga disa klube u falënderua e nga disa u kritikua, të njëjtat klube kanë filluar ta ngrisin zërin sërish kundër shtëpisë së futbollit. Arsyeje sërish paraja, shkruan Gazeta Express.
Në fundjavën e kaluar FIFA vendosi ta ndaj një fond prej 138 milionë eurosh për t’u ndihmuar të gjitha federatave anëtare të saj në këtë kohë pandemie me nga 462 mijë euro për secilën.
Duke i parë disa klube në vendin tonë që kishin filluar t’i “fërkonin duart” pas këtij vendimi të FIFA-s, drejtues të FFK-së bënë me dije se me këto 462 mijë euro do të mbulohen vetëm shpenzimet e federatës dhe se asnjë cent prej tyre nuk do të shkojë te klubet. Kjo pastaj filloi të ngjall pakënaqësi të re te klubet.
Por, FIFA e ka dhënë një shpjegim përmes Gazetës Express se kah duhet të shkojë ndihma e saj për Kosovën në vlerë prej 462 mijë eurosh.
“Kjo ndihmë e menjëhershme financiare duhet të përdoret për ta zbutur ndikimin financiar të COVID-19 në Federatat anëtarë të FIFA-s, përkatësisht për t’i kryer detyrimet financiare apo operacionale që ato mund t’i kenë ndaj stafit të tyre apo edhe palëve të tjera të treta”, thuhet në sqarimin e FIFA-s dërguar Gazetës Express.
Kjo arsyeton deklarimin e sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu, i cili kishte thënë se me 462 mijë euro të ardhura nga FIFA federata kosovare do t’i mbulojë shpenzimet për 30 punonjësit e administratës së saj, 20 zyrtarët e Lidhjeve Rajonale, për 30 trajnerët e ekipeve kombëtare të Kosovës që paguhen në baza të rregullta, e po ashtu edhe për komisionet e FFK-së që kanë kosto të madhe financiare.
Kjo bëri që njëri prej klubeve më të mëdha në vend, Trepça ’89, të reagojë sërish ashpër kundër kryesisë së FFK-së të cilën ai moti nuk dëshiron ta shohë në pozitë.
“Federata këto mjete mund t’i investojë në ligat kombëtare (pra te klubet e Kosovës). Sipas Eroll Salihut administrata e FFK-së qenka më e rrezikuar për falimentim e jo klubet e futbollit të cilat e themelojnë këtë Federatë dhe e punësojnë këtë administratë. FFK-ja merr fonde të dedikuara drejtpërdrejt për mirëmbajtjen e administratës dhe mbulimin e kostove financiare, nga ‘Hat-Trick’ programi i UEFA-s, për çdo vit nga 1,3 milion euro. Si duket FFK-së këto ditë nuk po i dalin këto 1,3 milion euro për vetëm 24 të punësuar në administratë, 30 trajnerë dhe 20 të punësuar në LRF. Tani në këtë kohë kur e gjithë bota dhe klubet më me nam janë duke përgjysmuar pagat, FFK-ja i siguron vetes edhe një fond emergjent shtesë, duke mos dëgjuar klubet që janë në pozitë të vështirë dhe ekzistenciale”, thuhet pos tjerash në reagimin e 89-shit, i cili bashkë me Llapin, por edhe me disa klube tjera, qe një kohë të gjatë e kanë krijuar një grup të fortë opozitar ndaj kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, dhe bashkëpunëtorëve të tij./GazetaExpress/