Rritja e numrit të personave të infektuar me koronavirus gjatë ditëve fundit në Kosovë dhe mosrespektimi i udhëzimeve nga disa klube të Superligës kanë bërë që në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) të frikësohen për pezullim të garave elitare të futbollit. Është sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, ai që ka thënë se klubet janë liruar më shumë se që duhet në këtë kohë pandemie. Kështu që, Salihu është drejtuar me një kërkesë në adresë të klubeve që t’u përmbahen udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe t’i marrin masat që asnjë person jashtë listës të mos futet në stadiume e po ashtu edhe futbollistët ta ndalojnë festimin e golave me përqafim. Në fakt, kjo vërejtje u tërhiqet klubeve, pasi në disa stadiume është parë numër më i madh i personave në tribuna e po ashtu pas shënimit të golave, festa nuk është bërë si në fillim me bërryla, por me përqafim.
“Jemi mbledhur me komisionin për të diskutuar çështjen e masave parandaluese për koronavirus, pasi mendojmë se klubet janë liruar paksa si shumë. Ne nuk do të lejojmë që situata të përshkallëzojë për shkak se rastet e fundit janë një shenjë alarmuese jo vetëm për ne si federatë, por për të gjithë. Nuk duhet të tejkalohet numri i personave që duhet të jenë brenda stadiumit dhe tash e tutje, për çdo person më shumë klubi e merr vetë përgjegjësinë”, ka insistuar Salihu. “Gjithashtu edhe lojtarët duhet të ndalojnë përqafimet pas golit të shënuar, nuk ka nevojë të festohet në atë mënyrë për shkak të situatës, sepse ekziston frika se sërish mund të pezullohen garat për shkak të rritjes së numrit të rasteve”.
Salihu thotë se kanë marrë lëvdata nga ministri i ri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe se klubet duhet ta kenë parasysh kërkesën e tyre për ruajtjen e shëndetit të futbollistëve dhe zyrtarëve të tjerë të klubeve. Në fakt, para rifillimit të Superligës që nis në fillim të këtij muaji pas pezullimit nga 13 marsi, të gjithë futbollistët u janë nënshtruar testeve për koronavirus, dhe të gjithë kanë dalë negativë.
“Futbolli ka qenë shembull dhe duhet të vazhdojë të jetë shembull, pasi është përgëzuar edhe nga ministri i Shëndetësisë. Ne duam te kemi siguri të plotë deri në përfundim të garave dhe të mos kemi asnjë të prekur me koronavirus, siç nuk e patëm as para fillimit të garave. Besoj se klubet do ta marrin parasysh këtë kërkesë”, është shprehur Salihu.
Në udhëzimet dërguar klubeve është thënë se nga kryesitë e klubeve të ketë nga dhjetë persona jashtë protokollit zyrtar, katër mbledhës të topave, si dhe në bankinë të ketë distancë e po ashtu të jenë të pajisur me maska. Por, në ndeshjet e fundit është parë një numër më i madh në tribuna, derisa të mbushura me shikues kanë qenë edhe pjesët jashtë rrethojave të stadiumeve. Drejtori i klubit Flamurtari, Agim Hasani, ka kërkuar nga personat që nuk kanë drejtë të jenë në tribuna të mos afrohen, meqë po u shkaktojnë telashe.
“Sa të mundemi do të mundohemi t’u përmbahemi masave, por ne jemi një popull që nuk marrim vesh. Nuk e dinë ata që tentojnë të hyjnë për ta shikuar lojën që e dëmtojnë dikë. Por, ne do të mundohemi t’i respektojmë udhëzimet”, ka theksuar Hasani.