Fermerët e qumështit po kërkojnë të ndërpritet përherë importi i prodhimeve të vajit të palmës

Për një vit në Kosovë prodhohen rreth 200 tonë qumësht, kur 140 prej tyre po arrijnë të grumbullohen, ndërsa një pjesë rrezikohet të paguhet me 50 për qind të çmimit. Sasia e mbetur e qumështit në stoqe po ndodh për shkak të prodhimeve të importuara të vajit të palmës, e cila konsiderohet e jashtëligjshme, pasi që dëmton shëndetin e konsumatorëve.  Kështu u tha sot në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë.

Kryetari i Këshillit koordinues të fermerëve të qumështit, Ramadan Memaj theksoi se problemet më të mëdha janë me grumbullimin e qumështit. Ky i fundit ka ngritur shqetësimin edhe me importimin e prodhimeve me përmbajtje të vajit të palmës, për çka tha se janë duke u bërë shkelje flagrante e ligjit.

“Në Kosovë për momentin i kemi më tepër se 70 mijë litra qumësht, të cilat nuk po arrijmë të grumbullojmë nga ana e përpunuesve të qumështit. Dhe në anën tjetër kemi pothuajse në të gjitha fabrikat e përpunimit të qumështit stoqe, të cilat janë krijuar këta muajt e fundit. Mirëpo, sigurisht se nuk është vetëm kjo çështja kryesore në këtë sektor. Tani, në kohë të fundit e kemi, sidomos në muajin e fundit, kemi dukurinë e mbylljes të fermave në pamundësi që të mbijetojnë për shkak të vështirësive me të cilat janë duke u ballafaquar.” tha Memaj.

Ai ka ngritur shqetësimin për importimin e produkteve me përmbajtje të vajit të palmës, të cilat vijnë përmes certifikatës veterinare, e që AVUK ka lejuar importin e tyre pa e ditur se çfarë përmbajtje kanë, për çka kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit.

“Prodhimet e qumështit të ashtuquajtura që vijnë nga importi por edhe nga prodhimet vendore janë prodhime kryesore të cilat janë duke shkaktuar problemin e sektorit të qumështit, janë ato me vaj të palmës. Prodhime të cilat në aspektin ligjor nuk janë të rregulluara, ose janë prodhime të jashtëligjshme, prodhime edhe të cilat janë të jashtëligjshme dhe prodhime të cilat janë duke dëmtuar edhe shëndetin e konsumatorëve të Kosovës. Pra, kemi të bëjmë me shkelje flagrante të ligjit të nivelit shumë të lartë.”, tha Memaj.


Ndërsa Kryetari i Komisionit për Bujqësi Liburn Aliu ka pyetur kryetarin e Këshillit koordinues të fermerëve të qumështit, Ramadan Memaj, mbi sasinë e qumështit që prodhohet brenda vitit në Kosovë.

Aliu: Cili do të ishte efekti në rast se do të kishim limitim të vajit të palmës në përgjithësi?

“Sa prodhohet qumësht në vendin tonë, nëse 70 mijë nuk grumbullohen, sa grumbullohen? Ju thatë që janë mbushur stoqet, si janë mbushur stoqet, a ka ndikuar pandemia në këtë situatë? A janë mbushur stoqet me qumësht me vaj të palmës apo me qumësht tjetër? Cili do të ishte efekti në rast se do të kishim limitim të vajit të palmës në përgjithësi?”, është shprehur Aliu.

Memaj ka theksuar se gjatë kohës së dimrit sasia e prodhimit të qumështit bie, por një pjesë e konsiderueshme po rrezikohet të paguhet me 50 për qind të çmimit.

“Ne jemi shumë të shqetësuar edhe për faktin e aspektit të sigurisë. Ajo çfarë ne kërkojmë nga ju si komision parlamentar dhe si Kuvend i Kosovës, duke i ndaluar këto produkte, të cilat po shkatërrojnë gjithçka. Duke filluar nga fermat, pikat grumbulluese, fabrikat e grumbullimit dhe mbi të gjitha duke shkatërruar shëndetin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Memaj.