Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu, tha për RTKlive se ZRRE-ja është institucion që respekton ligjet. “Deri më tani nuk kemi pranuar asnjë vendim nga Gjykata e Apelit, por kur do që vjen ne do ta respektojmë vendimin”, tha ai për RTKlive.
Ndryshe padinë ndaj tarifave të ZRRE-së, e ka bërë Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit.
Këto tarifa kishin hapur debat për menaxhimin e sektorit energjetik në Kosovës, duke pasuar edhe me krijimin e dy komisioneve hetimore për energjinë. Njëri i propozuar nga pozita e që do të këtë qëllimin e hetimit për energjinë nga viti 2006, dhe tjetri i opozitës do të hetojë menaxhimin e situatës energjetike.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Sipas ZRRE-së rritja e çmimit në fatura do të vërenin konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.
Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë kanë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët. Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë është 7 cent, ndërsa ajo e ulët, 3 cent. Tarifat e reja kanë hyrë në fuqi me 9 shkurt dhe ishin parashikuar të aplikohen deri më 31 mars 2023. Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.