Në emër të mbrojtjes juridike dhe mbështetjes financiare për të akuzuarit potencialë të Gjykatës Speciale, për dy vjet janë harxhuar rreth një milion euro të buxhetit të shtetit.
Faturat që do të dëshmonin këtë shpenzim dhe njerëzit që kanë përfituar, janë duke u mbajtur fshehtë nga Ministria e Drejtësisë, raporton KOHA.
Sipas të dhënave që ka ofruar ky dikaster qeveritar, në vitin 2020 nuk ka pasur ndonjë shpenzim për këtë qëllim. Ndërkaq, në vitin 2018 është shpenzuar shuma mbi 475 mijë euro e në vitin pasues ajo mbi 458 euro. Mbi 14 mijë euro ishin harxhuar edhe në vitin 2017.
Në Ministrinë e Drejtësisë kanë arsyetuar mosdhënien e informatave që lidhen me kontratat dhe faturat.
“Sipas Vendimit të kryeministrit nr.2192/2019, të datës 31.01.2019, dokumentacioni përkitazi me mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike, si dhe çështjet e tjera që ndërlidhen me mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridik janë të klasifikuara, trajtimi i të cilave bëhet në pajtim me legjislacionin në fuqi për klasifikimin e informacioneve, dhe rrjedhimisht ndalohet qasja e personave të paautorizuar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
KOHA ka siguruar vendimin që i ka shërbyer Ministrisë për t’i fshehur faturat. Ai është firmosur nga Ramush Haradinaj sa ishte kryeministër.
“Informacionet që ndërlidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar janë informacione të nivelit ‘SEKRET’ dhe mbrohen nga qasja e personave të paautorizuar”, thuhet në këtë vendim.
Megjithëkëtë, pika e dytë e vendimit përjashton nga ky klasifikim informatat që kanë të bëjnë me mjetet e shpenzuara financiare përkitazi me mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare që ndërlidhet me Specialen.
Në 2017-n, Qeveria Haradinaj kishte aprovuar një vendim tjetër, e i cili ishte në funksion të fshehjes së dokumenteve të ngjashme. Me të mundësohej që gjatë lidhjes së kontratave për llogari të mbrojtjes në Gjykatën Speciale, të përjashtoheshin procedurat që i parasheh Ligji i Prokurimit.
Por Qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti e ka anuluar dy javë më parë atë, bashkë me 19 vendime të tjera të kësaj natyre.
Vendimi i Qeverisë Hoti ka mbetur vetëm në letër, meqë dy javë pas miratimit të tij, Ministria e Drejtësisë nuk ka ofruar të dhëna mbi kontratat e faturat.
“Ky vendim më shumë duket të jetë populist… Gjithçka që fshihet nga publiku, krijon dyshim për keqpërdorime të mundshme, e sidomos kur kemi të bëjmë me tenderë të ndryshëm”, ka thënë Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive në Lëvizjen “FOL”.
Një pjesë e mbështetjes financiare për të dyshuarit e Speciales është bërë edhe nga rezerva e shtetit. Vetëm përfituesve nëpërmjet kësaj procedure u dihen emrat. Qeveria Haradinaj kishte mbështetur me 40 mijë euro Lahi Brahimajn, me 14 mijë euro Sylejman Selimin, me 7 mijë euro Mahir Hasanin e me 9 mijë euro Sami Lushtakun. Ndryshe nga këta, Lushtaku i ka kthyer mjetet sërish.