Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kanë zhvilluar një takim për të diskutuar mundësinë e krijimit të një qeverie të përbashkët, shkruan Insajderi.
Megjithatë, takimi nuk është konfirmuar zyrtarisht nga asnjëra palë.
Sidoqoftë, media ka spekuluar për disa kërkesa që Limaj mund të ketë parashtruar gjatë këtij takimi.
Një prej kërkesave që është përmendur në media është posti i Kryetarit të Kuvendit, të cilin Fatmir Limaj ka kërkuar ta mbajë, sipas raportimeve të rtv 21.
Kjo kërkesë ende nuk është konfirmuar, ndërkohë që spekulimet vazhdojnë mbi mundësinë e një koalicioni mes dy partive.
Sot, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka ftuar për takim përmes një letre kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Në letrën që e ka siguruar Insajderi, Abdixhiku ftohet nga Kurti për diskutimin e proceseve të formimit të institucioneve.
“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së qeverisë, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 09:00 ose 14:00”, thuhet në letër.
Kurti ka lënë dje të nënkuptohet se nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë.
Ai ka thënë se disa deputetë të pakicave po shantazhohen nga Beogradi.
Nuk dihet nëse e njëjta ftesë i ka shkuar PDK-së dhe AAK-së.