Deputeti Fatmir Humolli edhe zyrtarisht është ndarë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në seancën e së mërkurës të Kuvendit të Kosovës, humolli është parë i ulur ndaras nga bashkëpartiakët e tij dhe ka zgjedhur që të ulet veçmas, raporton “Zeri.info”.
Ai është ulur në pjesën ku ulen deputetët e opozitës, më saktësisht ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në këto fotografi, Humolli shihet duke biseduar me Haki Abazin, i cili po ashtu ka dhënë dorëheqje nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Humolli në vazhdimësi ka kundërshtuar shumë gjëra e vendime të Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndrimet e tij i ka dhënë haptazi, madje edhe shumë votime në Kuvendin e Kosovës Humolli i kishte kundërshtuar dhe nuk kishte votuar siç kishin votuar bashkëpartiakët e tij.
Për largimin e Humollit nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, si duket nuk është në dijeni as kryeministri Albin Kurti, pasi që në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se nuk ka arritur që të bisedojë me Humollin.