Me fat”. Kjo kishte qenë porosia e fundit që dy minatorët e minierës së Artanës, Idriz Gerbeshi e Haki Arifaj e kishin lexuar e parë sot. Por fati, nuk ishte në anën e tyre. Të dy gjetën vdekjen mëngjesin e së martës në këtë̈ minierë derisa ishin duke punuar. Njëri inxhinier i xehetarisë̈ e tjetri xehetarë̈ u zunë̈ poshtë̈ dheut, pas një shembje shkëmbore në minierë. Trupat e këtyre dy personave gjenden ende nën rrënoja dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë̈ duke punuar për nxjerrjen e tyre. Express, sot, ka qëndruar atje dhe ju sjellë detaje për këtë rast dhe kushtet në të cilat punojnë minatorët.
Punën e kishin nisur qysh në orët e para të mëngjesit të së martës pa e ditur se kjo do të ishte dita e fundit e jetës së tyre.
Idriz Gerbeshi e Haki Arifaj, pak minuta pas orës 09:00 të mëngjesit të sotëm, qëndruan disa minuta me kolegët e tjerë duke pirë nga një cigare e ku pastaj do të fillonin punën dhjetëra metra nën tokë. Por të gjallë nga aty nuk do të mund të dalin këta dy persona. Ata gjetën vdekjen nga shembja e dheut e cila ndodhi pak para orës 10:00 gjatë ditës së sotme atje.
Gazeta Express ka qëndruar gjatë ditës së sotme në Artanë. Aty ku ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke bërë të pamundurën që t’i nxjerrin trupat e 50 e 53-vjeçarëve tashmë të ndjerë.
Kolegët e këtyre dy personave të ndjerë dhanë rrëfimet e tyre për gjithë ngjarjen.
“Në mëngjes ne u pamë. E patëm një pauzë të shkurtë. Nga një cigare e pimë këtu bashkë. U ndamë pastaj. E pash gjithë shembjen. S’i kam pas as një metër larg sysh. Fati këtë herë i tradhtoi”, rrëfehet me lot në sy njëri nga minatorët i cili kishte qenë brenda minierës në momentin kur ndodhi shembja.
E një koleg tjetër tregon se minatorët tashmë të ndjerë Idriz Gërbeshi e Haki Arifaj, kishin më shumë se dhjetë vite që po punonin në minierën e Artanës. Ky minator, ankohet edhe për kushtet jo të mira të punës në Minierën e Artanës.
“Ata ka pasur rreth 14 vite që punojnë këtu tek ne. Të dy kanë nga tre fëmijë. Kushtet s’i kemi hiç të mira. Jemi ankua edhe disa herë për kushtet e punës këtu”, thotë ky minator.
E këta minator po shprehen të gatshëm që të hyjnë sërish në minierë për t’i nxjerrë trupat e dy kolegëve të tyre nga aty.
“Fati, e ka lëshuar perëndia atë bllok. Tash nuk kemi kurrfarë mundësie. Mundësitë janë qysh me i tërheq ata dy vëllezër nga aty, a po na lejojnë ne kolegët të shkojmë brenda për t’i tërhequr së bashku me këta vëllezër që kanë ardhur FSK, policia, nëse jo, po presim këtu. Jemi të kënaqur të marrim pjesë edhe ne”, tha Sylë Gërbeshi minatori që ka qenë brenda kur ka ndodhur aksidenti.
Edhe Vehbi Gërbeshi, minator, shprehu gatishmërinë që të marrin pjesë në tërheqjen e trupave të ngujuar në minierë.
“Të na lejohet edhe neve të hyjmë, sepse kemi mundur me qenë ne aty. Ata kanë pas fatin deri aty, inshalla Zoti i ka shpërblyer me të mira”, tha Gërbeshi.
Para një muaji Minatorët e Artanës ishin future në grevë, ankoheshin se nuk i kishin marrë pagat. Madje kishin mbetur edhe pa bukë
E rreth 140 minatorë të Minierës së Artanës, përfshirë këtu edhe dy personat që humbën jetën sot si pasojë e shembjes së dheut në atë minierë, gjatë muajit prill kishin hyrë në grevë për një javë. Ata thonin se janë diskriminuar pasi që nuk i kishin marrë pagat e tyre.
“Edhe ne po përballemi me pandeminë dhe kemi mbetur edhe pa ushqim”, kishte thënë Flamur Mehmeti, përfaqësues i këshillit grevist.
“Jemi 140 minatorë këtu në Artanë, kurse bashkë me të Kishnicës jemi mbi 200 veta. Nuk do ta ndalim grevën derisa të na dalin pagat”.
E gjatë ditës së sotme në vendin ku vdiqën dy minatorët ka qëndruar edhe kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti bashk me ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme. Xhelal Sveçles e disa persona të tjerë të kabinetit qeveritarë.
Kurti e ka quajtur fatkeqësi të madhe atë që ndodhi sot. Ai tha se atyre se do të ndihmojnë familjet e viktimave ndërkohë.
“Është ngjarje e rëndë, fatkeqësi e madhe, pasoja tragjike, por duhet të mbaheni të fortë sepse tash nuk mund të ndryshojmë diçka sa i përket fatit të Hakiut dhe Idrizit, por do të kujdesemi për familjet e tyre dhe për gjithë kolegët që paskan qenë aty te punishtja 24\9. Shyqyr që kanë shpëtuar, kanë pas fat”, tha Kurti./GazetaExpress/