Gruaja 48-vjeçare me inicialet L.Q., që u privua dje nga jeta në shtëpinë e burrit të saj në Llaushë të Skenderajt, sipas familjarëve kishte përjetuar dhunë të vazhdueshme nga S.Q., 51-vjeçar.
Sipas një familjari të dorasit, ( i cili kërkoi të jetë anonim), viktima e kishte raportuar dhunën në polici një javë para se të privohej nga jeta. I njëjti deklaroi se atë ditë viktima bashkë me njërin nga djemtë e saj dhe bashkëshortin kishin qëndruar në stacion policor pesë orë rresht, por më pas i dyshuari ishte liruar.
Për këtë të fundit banorët thanë se ka pasur probleme me shëndetin mendor, por që i njëjti kishte refuzuar ndihmën mjekësore.
Për pretendimet e familjarëve se edhe përkundër raportimit të dhunës në polici, burri ishte liruar, janë dërguar pyetje në polici dhe në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës lidhur me këtë rast.
Aktualisht tre fëmijët e çiftit po qëndrojnë në shtëpinë e axhës së tyre, ndërsa aty u panë edhe banorë të fshatit duke shkuar për ngushëllime.
Viktima u përshkrua nga banorët e fshatit si grua e “bekuar dhe e urtë”, teksa u shprehën se edhe familja e saj ishin në dijeni për dhunën që ia shkaktonte burri, por që sipas tyre, ajo qëndronte në shtëpinë e të dyshuarit për shkak të fëmijëve.
Express ka vizituar edhe familjen e gruas së ndjerë në Burojë të Skenderajt ku është hapur e pamja dhe të njëjtën gjë se viktima e ka raportuar dhunën në polici, e pohuan edhe familjarët e saj.
Kujtojmë që policia ka arrestuar të dyshuarin, burrin e viktimës, 51-vjeçar, i cili me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë.
Nga i njëjti është sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tre fishek, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjashtë gëzhoja.
Ushtruesit i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, Agron Mehmeti, në një lidhje direkte në emisionin Frontal në T7, ka treguar dje se viktima ka pasur tre plagë të rënda, dy në gjoksë dhe një në dorë.
Ai ka deklaruar se viktima ka qenë me shenja jete deri sa është dërguar në spitalin e Mitrovicës.