Familjarët i bëjnë thirrje Prokurorisë t’ia lejojnë zhvarrimin e Liridona Ademajt


Familjarët e Liridona Ademajt, gruas që dyshohet se u vra me porosi nga bashkëshorti i saj, i kanë bërë thirrjes Prokurorisë Themelore në Prishtinë që t’ia lejojnë sa më shpejtë zhvarrimin e trupit të saj dhe të mos pritet për procedura deri të hënën. 

Trupi i Liridona Ademajt u varros të premten në fshatin Cermjan të Gjakovës, nga vjen bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Por pas arrestimit të Murselit si i përfshirë në vrasjen e saj, familjarët po kërkojnë ta zhvarrosin trupin.

Në një prononcim për KOHËN, një nga familjarët e Liridona Ademajt ka thënë se Policia në Gjakovë u ka thënë që kërkesën për zhvarrim ta bëjnë te prokurorja e rastit të hënën. Por, siç thotë familjari, sa më shpejtë të zhvarroset trupi, dhimbja do të jetë më e lehtë për ta.

“Policia në Gjakovë na kanë thënë që me bo kërkesë te Prokuroria për të hënën. Sa më shpejtë që zhvarroset, dhimbja do të jetë më e lehtë për ne. Sa më shumë që zgjatet, dhimbja do të jetë më e rëndë. Është edhe më e lehtë për të pamen që e kemi hap”, ka thënë njëri nga familjarët.

Liridona pati 13 vjet martesë me Murselin, i dyshuar se pagoi vrasjen e gruas së tij e me pas e inskenoi si grabitje të mërkurën në mbrëmje. U arrestuan edhe dy të tjerë në lidhje me vrasjen. Njëri nga ta ishte pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës.