Falet namazi i Fitër Bajramit, Tërnava: Dashtë Zoti që sa më shpejt t’i kthehemi normalitetit

Falja e namazit së Fitër Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Në prezencë të një rrethi të ngushtë të zyrtarëve të lartë të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

“Unë e kuptojë ndjesinë e besimtarëve se sot nuk janë në xhami për të madhëruar krijuesin e gjithësisë, nuk janë në manifestim anekënd Kosovës për të përjetuar kënaqësinë që ofron festa e Bajramit. Nuk janë këtu pranë njëri-tjetrit për ta uruar e përgëzuar gjithëpopullore jo vetëm ndër ne por edhe në tërë botën myslimane. Ky realitet paraqet një ndjesi jo të këndshme, megjithatë domosdoshmëri për të mirën tonë dhe për të mirën e shëndetit publik. Edhe pse kemi arsye për festë kur është në pyetje shëndetit publik dhe kur përballemi me rreziqet e përgjithshme, duhet vepruar e punuar përgjegjshëm e ndërgjegjshëm, ashtu siç kërkojnë institucionet tona profesionale. Në përballje me pandeminë, institucionet tona brenda mundësive kanë bërë më të mirën e mundshme për ta ruajtur shëndetin e popullatës tonë, për çfarë meritojnë mirënjohjen e respektin tonë. Ata Zoti i shpërbleftë, ndërsa ne edhe në këtë ditë feste i përgëzojmë për punën e mundin që kanë bërë“, tha ai

Tërnava me rastin e festës së Fitër Bajramit, ka dhënë mesazhin e tij në emër të Bashkësisë Islame në Kosovë.

“Në këtë ditë Bajrami ju ftoj që të keni durim edhe për pak kohë derisa të kalojë rreziku. Ju ftoj që të shmangi vizitat familjare vetëm e vetëm për ruajtjen e shëndetit tonë”, theksoi ai.

Myftiu Tërnava i ka ftuar qytetarët që në këtë ditë të madhe për të gjithë myslimanët të kenë durim edhe për pak kohë derisa të kalojë rreziku, duke shmangur vizitat familjare me qëllim të ruajtës së shëndetit.

“Lutuni në shtëpitë tuaja, bëni namaz, festoni, uroni njëri-tjetrin me mjetet komunikuese. Dashtë Zoti që sa më shpejt t’i kthehemi normalitetit”, tha ai.