Eurostat: Me gati 43 orë në javë, shqiptarët mes atyre që punojnë më gjatë në Europë

Përpjekjet për të frenuar krizën e Covid-19 kanë hapur në botë diskutimet lidhur me shkurtimin e orëve të punës që duhen punuar në javë, edhe si një mjet për të ruajtur vendet e punës.

Unioni më i madh i tregtisë i Gjermanisë, IG Metall, ka propozuar një javë me katër ditë pune, si një mënyrë për të kufizuar humbjen e vendeve të punës në industrinë automotive. Kjo edhe pse Gjermania është një nga vendet ku punohet më pak orë në javë, me 34.2, nga 36.2 orë në javë që është mesatarja europiane.

Eurostat ka publikuar së fundmi të dhënat për orët mesatare që punohet në javë në shtetet e Europës për vitin 2019. Për Shqipërinë të dhënat mungojnë, ndërsa INSTAT e raporton informacionin e fundit që nga 2016.

Por, nëse krahasohen të dhënat e Eurostat dhe INSTAT rezulton se shqiptarët janë ndër vendet që punojnë më gjatë në Europë, me rreth 43 orë në javë.

Në fakt i gjithë Ballkani punon më gjatë. Rekordin e mban Mali i Zi, me 44.4 orë në javë, Maqedonia (41.3), Serbia (42.3). Më shumë nga të gjithë punojnë turqit, me 46.4 orë.

Më pak në Europë punojnë holandezët, me 29.3 orë në vit.

Në Shqipëri, sipas INSTAT, koha më e gjatë e punës është në sektorin e prodhimit, me 45.8 orë; tregti, Transport, Hoteleri, Shërbime të Biznesit dhe Administrative, me 44. 8 orë. Në ndërtim, puna zgjat 42.7 orë gjatë një jave. Më pak në vend punojnë punonjësit e shtetit, me 39.8 orë.

Debati për uljen e orëve

Forumi Ekonomik Global shkruan se ka një debat në Europë lidhur me shkurtimin e orëve të punës. Në Gjermani, ministri i punës ka qenë kundër idesë së Unionit. Edhe Drejtori i Konfederatës së Shoqatave Gjermane të Punëdhënësve, i cili përfaqëson kompani që punësojnë së bashku 70% të fuqisë punëtore, i tha The Times: “Një javë katër-ditore me rregullime pagash vetëm do ta përkeqësonte këtë shok”.

Ideja e një jave më të shkurtër pune është hedhur prej disa vitesh – dhe ka disa mbrojtës të profilit të lartë.

Vitin e kaluar, Microsoft Japan tha se shitjet ishin rritur me gati 40% gjatë një eksperimenti ku punëtorët përfituan nga një fundjavë tre-ditore me pagë të plotë. Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin preferon uljen e ditës së punës nga tetë orë në gjashtë. Dhe në vitin 2019, John McDonnell, asokohe Kancelari në hije i Thesarit në Mbretërinë e Bashkuar, propozoi shkurtimin e javës së punës në 32 orë brenda një dekade. Kryeministri i Zelandës së Re Jacinda Ardern po sugjeron gjithashtu javë më të shkurtër si një mënyrë për të rritur turizmin dhe për ta vendosur vendin përsëri në rrugën e rikuperimit pas-pandemisë.

Të tjerë argumentojnë se zvogëlimi i punës do të sillte përfitime për planetin, do të përmirësonte produktivitetin dhe do të ndihmonte shëndetin mendor – krahas përmirësimit të dukshëm të mundshëm të bilancit të punës dhe jetës/Monitor.