EURO 2020, ndeshjet dhe oraret e dueleve për sot. Spanjë-Suedi supersfida

Kanë kaluar 3 ditë nga starti dhe ende nuk kemi hyrë në zonën e nxehtë të EURO 2020. Sot do të luhen tre sfida të tjera, nuk do të mungojë loja e bukur por kryesfida do të jetë në mbrëmje mes Spanjës dhe Suedisë në “La Cartuja” të Sevillas.

E nisim me sfidën e parë të ditës për Grupin D në orën 15:00, ku dje u luajt ndeshja Angli-Kroaci ndërsa sot është takimi mes dy skuadrave të tjera. Skoci-Republika Çeke. Janë ekipe që shqiptarët i njohin mirë pasi Shqipëria ka luajtur përballë Skocisë në Nations League ndërsa së fundmi ishte dhe miqësorja e luajtur në Pragë ku u mundëm nga çekët.

Në 18:00 do të jetë Grupi E në skenë dhe do ta nisin Polonia me Sllovinë në Shën Petërsburg dhe ku pritet shumë nga Robert Lewandowski e jo vetëm.

Në mbrëmje në orën 21:00 do të debutojë Spanja e Luis Enriques përballë Suedisë. Do të jetë një ndeshje shumë interesante për të kuptuar edhe ku do të jetë “La Roja” këtë edicion pas disa vendimeve të trajnerit ku la jashtë Sergio Ramos.

Nga ana tjetër Suedia pa Zlatan Ibrahimoviç do të ketë Forsberg apo Isak dhe sigurisht që do të jetë një sfidë shumë e bukur.